Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet pa vonesa të zbatojnë obligimet e dala nga dialogu i Brukselit.
Ai në Samitin e Kosovës për Paqe dhe Demokraci, tha se mbështesin Kosovën në aspiratat e saja për anëtarësim në Bashkim Evropian dhe NATO.
“Mesazhi ynë është i qartë se duhet angazhim për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi me synim përfundimtar njohjen e ndërsjellë. Ky mbetet synimi i qartë i SHBA-së…Presim të dy qeveritë të veprojnë në përputhje me të gjitha obligimet e marra në dialog. Presim të marrin dialogun seriozisht.
Ambasadori amerikan theksoi se nevojën edhe respektimit të të drejtave të minoriteteve në Kosovë. Hovenier ka thënë se duhet një përkushtim i ri më energjik në dialog.
“Ajo që na duhet është serioziteti dhe qëllimi në dialog. Duhet qasje e re më energjike nga të dyja palët. Negociuesit më të suksesshëm gjithmonë mendojnë për situatë ‘fitim-fitim’. Mendojnë si të marrin diçka, por edhe kolegu i tyre të marrë diçka që të jetë i kënaqur. Është proces. SHBA-ja dëshiron të shohë këtë por pa kompromentuar themelet e Kosovës.
S’do të ishte asnjë fitore çdo ndryshim në sovranitetin, pavarësinë apo integritetin territorial apo demokracinë e Kosovës. Por, nuk është edhe fitore kur minoriteteve nuk u respektohen të drejtat”, tha Hovenier.
Ndërkaq, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka kërkuar nga qeveria që të bëjë hapa konkret për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Rohde tha se ky veprim është thelbësor për integrimin e serbëve në institucionet kosovare.
Ambasadori gjerman nënvizoi nevojën që Kosova dhe Serbia të zbatojnë Marrëveshjen Bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit. /Telegrafi/
The post Dialogu Kosovë-Serbi, ShBA-të dhe Gjermania kërkojnë hapa konkret dhe përkushtim first appeared on Radio Televizioni Iliria.