Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se sot do të dorëzojnë në Kuvend, dosjen për procesin e Vettingut në sistemin e drejtësisë.
“Pas një pune intensive dhe konsultimeve me grupet parlamentare sot po e dorëzojmë në kuvend dosjen e dokumenteve të Vettingut dhe kjo dosje përfshinë: draftin për amendamentet kushtetuese për Vettingun, projektligjin për Vettingun, koncept-dokumentin për Vetting, dhe dokumentin shpjegues për procesin e Vettingut të hartuar nga MD-ja”, ka thënë Haxhiu.
Ajo ka shtuar se fillimisht është punuar dhe miratuar në qeveri koncept-dokumenti për procesin e Vettingut i cili në fund të vitit të kaluar ishte dërguar në Komisionin e Venecias.
“Në qershor pas një pune jo të lehtë kemi marrë dritën e gjelbër nga komisioni i Venecias për Vettingun. Në korrik dhe gusht amendamentet kushtetuese i kemi harmonizuar me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe tani po e dorëzojmë në Kuvend”, tha ministrja.
Ministrja shtoi se Vettingu do të mundësoj që në institucionet e drejtësisë të jenë ata që kanë integritet të lartë moral e profesional.
“Gjyqtarët dhe Prokurorët konsiderohet se kanë pagat më të larta në rajon, por për shkak të mosveprimeve ose veprimeve të tyre të gabuara, po humbim jetë grash, po dhunohen seksualisht të miturit, dhe korrupsioni i madh mbetet i pandëshkuar. Reforma në sistemin e drejtësisë mundëson që në institucionet e drejtësisë të jenë ata që kanë integritet të lartë moral e profesional. Meqë sot po e dorëzojmë dosjen për Vettingun në Kuvend, i siguroj që Kuvendi do ta ketë mbështetjen e plotë nga Qeveria dhe Ministria e Drejtësisë”, tha Haxhiu.