Kreu i shërbimit informativ të Greqisë dhe sekretari i përgjithshëm i zyrës së kryeministrit kanë dhënë dorëheqjen, mes akuzave për përdorimin e paligjshëm të sistemit të përgjimit kundër një gazetari dhe ndaj kreut të një partie opozitare.
Zyra e Kryeministrisë së Greqisë bëri të ditur se drejtori i Shërbimit Informativ Kombëtar Panagiotis Kontoleon dhe Grigoris Dimitriadis, sekretar i përgjithshëm i zyrës së kryeministrit, dorëzuan të premten, më 5 gusht dorëheqjen e tyre, e cila u pranua.
Kontoleon dha dorëheqjen “pas veprimeve jo korrekte të konstatuara në procedurën e mbikëqyrjes ligjore”, tha zyra e kryeministrit, pa dhënë detaje se cilat procedura u ndoqën në kundërshtim me ligjin ose cilët mund të kenë qenë objektivat e këtyre përgjimeve. Sipas ligjit grek, një prokuror kërkohet të aprovojë çdo përgjim t ndërmarrë nga shërbimet informative.
Zyra e kryeministrit nuk dha arsye për dorëheqjen e Dimitriadis. Një zyrtar qeveritar tha se “kishte të bënte me klimën toksike që ishte krijuar rreth tij. Në asnjë rast nuk ka të bëjë me sistemin e përgjimit “Predator”), me të cilin as ai dhe as qeveria nuk janë të lidhur në asnjë mënyrë.” Zyrtari foli në kushte anonimiteti pasi arsyet e dorëheqjes nuk ishin bërë të ditura.
Javën e kaluar, kreu i partisë opozitare socialiste të Greqisë, PASOK, Nikos Androulakis, paraqiti një ankesë në gjykatën e lartë të vendit duke thënë se kishte pasur një përpjekje për të hakeruar celularin e tij me sistemin e përgjimeve “Predator”.
Androulakis, i cili është gjithashtu anëtar i Parlamentit Evropian, tha se u informua mbi këtë përpjekje nga shërbimi i sigurisë kibernetike të Parlamentit Evropian disa ditë përpara se të paraqiste ankesën e tij më 26 korrik.
“Të zbuloj se kush qëndron pas praktikave të tilla të sëmura dhe për kë po veprojnë nuk është çështje personale. Është detyra ime demokratike”, deklaroi në atëbotë Androulakis.
Në prill, gazetari financiar grek Thanasis Koukakis tha se ai ishte njoftuar nga grupi i të drejtave digjitale “Citizen Lab” se telefoni i tij kishte qenë objektivi i përgjimit nga softueri “Predator” prej korrikut deri në shtator 2021. Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve kishte bërë thirrje për një ” hetim të shpejtë dhe të gjithanshëm… (për të) përcaktuar se kush e ka orkestruar atë përgjim dhe për t’i çuar ata para drejtësisë.” /rel