Presidenti i Polonisë Andrzej Duda e konsideron Rusinë një rrezik për Evropën.
“Nëse Ukraina, me rezistencën e saj heroike, nuk arrin t’i rezistojë planeve perandorake të Putinit, Polonia dhe shtetet baltike do të kërcënohen drejtpërdrejt nga zgjerimi i mëtejshëm i sferës së ndikimit rus në Evropën Qendrore,” tha Duda në edicionin e Frankfurter Allgemeine Zeitug.
Duda foli për “ide të mëdha ruse në lidhje me nënshtrimin e popujve të tjerë”.
”Këto nuk janë vetëm ide të presidentit rus Vladmir Putin, por pjesa më e madhe e shoqërisë ruse është e mbushur me to”, theksoi ai.
“Falë Ukrainës, ky rrezik sot është frenuar. Por mendoj se ky rrezik fatkeqësisht do të bëhet aktual në të ardhmen. E vetmja gjë që mund të bëhet është të forcojmë sigurinë tonë”, vazhdoi presidenti polak.
Polonia i dhuroi Ukrainës 260 tanke të vjetra T-72. Polonia shpreson gjithashtu për dërgimin e tankeve gjermane Leopard. Megjithatë, deri më tani, nuk ka pasur një të ashtuquajtur shkëmbim rrethor, ku dërgesat polake në Ukrainë do të kompensoheshin me zëvendësime nga Gjermania.
Polonia nuk ishte e kënaqur me ofertën e mëparshme të Berlinit për 20 tanke Leopard 2 që do të dorëzoheshin duke filluar nga viti 2023. /atsh