Edona Maloku Bërdyna është emëruar ambasadore e Kosovës në Portugali.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla.
Gërvalla ka shkruar se Bërdyna është një figurë e shquar në shkencat sociale, me një karrierë që bashkon hulumtimin akademik, praktikën e aplikuar dhe zhvillimin e politikave në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
“Ajo ka doktoraturë në Psikologji/Shkenca Sociale nga Universiteti Leiden në Holandë, ku edhe ka përfunduar Masterin e Shkencave me vlerësimin më të lartë të dhënë në universitetet holandeze (Cum Laude).Puna e Dr. Maloku Bërdyna është njohur dhe vlerësuar në shkallë globale, duke përfshirë çmimin prestigjioz Otto Klineberg dhe disa njohje ndërkombëtare për ndikimin e saj në ndryshimin social dhe drejtësinë shoqërore”, ka thënë Gërvalla, përderisa ka falënderuar ambasadorin e deritanishëm, Ylber Kryeziu, për angazhimin dhe kontributin e tij gjatë këtij shërbimi jashtë vendit.