Egjipti ka njoftuar se ka filluar të krijojë një qendër logjistike në Rafah për të lehtësuar ndihmën humanitare për Rripin e Gazës, i cili është nën sulm dhe pushtim nga Izraeli, transmeton Anadolu.
Guvernatori i Sinait të Veriut në Egjipt, gjeneralmajori Muhammad Abdulfadil, tha se qendra do të ndërtohet në qytetin kufitar, duke përfshirë kalimin kufitar Rafah midis Egjiptit dhe Rripit të Gazës.
Abdulfadil tha se ushtria egjiptiane ka filluar ndërtimin e qendrës në Al-Arish për të lehtësuar punën e Gjysmëhënës së Kuqe Egjiptiane, si dhe për të reduktuar mbipopullimin në zonë dhe në rrugë.
Ai theksoi se qendra do të ketë zona parkimi për kamionë, magazina të sigurta, zyra administrative dhe akomodim për shoferët, si dhe objekte për ujë dhe energji elektrike.
Ai po ashtu njoftoi se ndihmat për Gazën po arrijnë në rajonin e Sinait nga toka, deti dhe ajri dhe se po bëhen përpjekje për t’i transportuar ato në Gaza me kamionë nga porti Al-Arish dhe Aeroporti Ndërkombëtar Al-Arish.
Strehimi për palestinezët e zhvendosur në Rafah
Rafah, në kufirin jugor të Rripit të Gazës, ishte shtëpia e 280 mijë palestinezëve para se Izraelite të fillonmte të sulmonte enklavën palestineze.
Sulmet e 7 tetorit zhvendosën 1.9 milionë njerëz në Rripin e Gazës, i cili ka një popullsi prej rreth 2.3 milionë banorësh.
Shumica e palestinezëve të zhvendosur kërkuan strehim në Rafah, për të cilin Izraeli pretendonte se ishte “i sigurt”.
Me fluksin e banorëve nga rajonet veriore, popullsia e qytetit Rafah u rrit në më shumë se 1.4 milionë, më shumë se katër herë nga popullsia e saj para fillimit të sulmeve izraelite.
Palestinezët që kërkuan strehim në Rafah po luftojnë për të mbijetuar në kampet e improvizuara me tenda për shkak të mungesës së strehimit të përshtatshëm.
Forcat izraelite shpesh vënë në shënjestër qytetin Rafah me sulme ajrore. Ka shqetësime se nëse Izraeli fillon një sulm tokësor në Rafah, nuk do të ketë vend të sigurt për civilët në Gaza.
Më 9 shkurt, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, udhëzoi ushtrinë dhe forcat e sigurisë që “të përgatisin një plan për një sulm në Rafah”.