Gjykimi i ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga Gjykata Speciale si dhe procesi i dialogut me Serbinë e kanë dëmtuar në masë të madhe reputacionin e vendin, sipas ekonomistëve. Këto procese, kanë thënë ata, kanë ndikuar në ekonominë e vendit duke i larguar investitorët.
Ish-drejtori i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, në një prononcim për Ekonomia Online ka thënë se imazhin që e ka krijuar Specialja dhe dialogu ka bërë që të largohen investitorë nga Kosova.
“E vërteta është që Kosova është në një krizë të reputacionit dhe Gjykata Speciale e ka dëmtuar në masë të madhe, vetë procesi në veti dhe vetë tituj e gazetave ndërkombëtare janë ato që po e dëmtojnë imazhin e Kosovës. Një vend ku çdo ditë ke temë dialogun me Serbinë dhe krizë e dialogut apo mos implementimin e marrëveshjeve të përafruara dhe në anën tjetër e kemi Gjykatën Speciale, është një dëm që gjenerata do ta paguajnë, sepse çdo ditë e më tepër largohen investitorë. Promovohet një jostabilitet qoftë politik qoftë ekonomik dhe kur krejt kësaj i shtohet edhe kjo kampanjë që po ndodh në imediat ndërkombëtare dhe fillimit të këtij procesi besoj që është një rendim i këtij aktualiteti negativ të krijuar rreth Kosovës”.
Gërxhaliu theksoi se efektet negative për vendin do të jenë në një periudhë kohore deri sa të përfundojë ky procesi.
Edhe ekonomisti, Jakup Bellaqa, u shpreh se procesi i gjykimit në Hagë do të krijojë një imazh negativ për vendin dhe se ky proces do të ndikojë në ekonomi.
“Në rast se në këtë gjykim dënohen krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sigurisht që do të krijohet një imazh negativ për Kosovën dhe ndikon sidomos në aspektin ekonomik që investitorët e jashtëm e humbin besimin që të investojnë në Kosovë. Edhe ata investitorë që janë në Kosovë do të thotë mund të krijojnë një lloj mos besimi, një lloj pasigurie në klimën e të bërit biznes”, tha ai.
Ai bëri thirrje që institucionet të krijojnë imazh pozitiv për investitorët e jashtëm.
“Andaj ne si shtet i ri me një ekonomie ende të pa zhvilluar duhet që të krijojmë një opinion dhe një imazh pozitiv tekë investitorët e jashtëm në mënyrë që të krijohet besimi dhe klima e të bërit biznes”, tha ai.