Eksperti mjeko-ligjor, Naim Haliti, ka thënë se Marigona Osmani kishte vdekur si pasojë e lëndimeve të rënda të shumëfishta. Ai ka folur të martën në seancën e rigjykimit të Dardan Krivaçës dhe Arbër Sejdiut, të akuzuar për dhunim dhe vrasjen e Osmanit më 2021.
Haliti që ka marrë pjesë në përpilimin e autopsisë të të ndjerës, ka thënë se Osmani kishte pësuar lëndime të rënda për së gjalli. Ai i ka përshkruar lëndimet e pësuara si vdekjeprurëse.
“Të gjitha këto lëndime kanë qenë për së gjalli”, ka thënë ai në deklaratën e tij. Sipas tij, te rasti i Osmanit dhimbjet kanë qenë të rënda.
Avokati i Dardan Krivaçës, Skënder Musa, ka pyetur ekspertin nëse Instituti i Mjekësisë Ligjore ka mundur ta detektojë “dozën apo sasinë e saktë të marihuanës tek e ndjera”. Eksperti ka deklaruar se kjo s’mund të përcaktohet në Kosovë dhe se duhet të dërgohet jashtë shtetit.
Musa ka kërkuar që mostra të dërgohen jashtë shteti “në mënyrë që të vërtetohet se a ka pasur ndikim në vdekje, sëmundja kronike e ndërlidhur me substancën narkotike”.
Ai është ankuar edhe në trajtimin e klientit të tij. Sipas tij “nuk është bërë ekspertiza siç është dashur” teksa ka propozuar që Krivaça të dërgohet në institutin e forenzikës neuropsikiatrike në Prishtinë që të monitorohet intensivisht.
Musa ka thënë se Krivaçës duhet t’i hulumtohet jeta që nga klasa pesëvjeçare, teksa ka thënë se ai ka tentuar vetëvrasje në Lipjan e se është dhunuar në Dubravë dhe ndikimin e substancave narkotike.
“Është e vërtetë që nga stresi e frika nuk ka bashkëpunuar as me drejtësinë, por që tash është i gatshëm”, ka thënë Musa.
Të gjitha këto i ka kundërshtuar prokurori i rastit që ka thënë se tashmë është i qartë raporti i IML-së dhe se ekzaminimet shtesë vetëm do ta zgjasnin procedurën.
Edhe Gazmend Rexhepi, avokat i familjes, ka kërkuar nga gjykata që të refuzohen kërkesat e mbrojtjes së Krivaçës. “Ka një tendencë për ta ndryshuar qasjen e të pandehurit dhe për ta ulur nivelin e përgjegjësisë”, ka thënë ai.
Në gusht të vitit 2023, Themelorja në Ferizaj dënoi Krivaçën me burgim të përjetshëm e Sejdiun me 15 vjet për ndihmë në vrasje. Të dy u liruan nga akuza për dhunim. Por Apeli, më pas e ktheu çështjen në rigjykim.
18-vjeçarja Marigona Osmani ishte vrarë në gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaça. Në aktgjykim e Themelores qe theksuar se Krivaça, më 21 e 22 gusht të dy vjetëve më parë, për motive të xhelozisë e me vetëdije, ka ushtruar dhunë ekstreme ndaj së ndjerës Osmani, me të cilën po bashkëjetonte në banesën e tij. Dhe se për dy ditë radhazi, ai me një shkop druri e kishte goditur viktimën vazhdimisht në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar dhimbje të mëdha fizike e psikike, të cilat është konstatuar se ia kanë shkaktuar vdekjen.