Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) dhe Katari vendosën reciprokisht t’i rihapin sot ambasadat e tyre, transmeton Anadolu.
Njoftimi u bë nëpërmjet një deklarate në faqen e internetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Në deklaratë theksohet se nga sot, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë vendosur të rihapin Ambasadën në Doha, kurse Katari ka vendosur të rihapë Ambasadën në Abu Dhabi dhe Konsullatën në Dubai.
Në deklaratë thuhet se vendimi në fjalë është marrë në bazë të marrëveshjes së arritur gjatë Samitit të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) të mbajtur në Al-Ula të Arabisë Saudite në fillim të vitit 2021 dhe në bazë të rëndësisë së dhënë nga të dyja shtetet për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Marrëdhëniet u rifilluan me zgjidhjen e krizës së Gjirit
Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejni dhe Egjipti ndërprenë të gjitha marrëdhëniet diplomatike me Katarin më 5 qershor 2017, duke e akuzuar për “mbështetje të grupeve terroriste”, dhe vendosën embargo ekonomike ndaj vendit.
Ndërsa Katari mohoi të gjitha akuzat e vendeve në fjalë, kjo situatë rajonin e Gjirit e çoi në krizë.
Kriza e Gjirit u zgjidh me nënshkrimin e Deklaratës së Al-Ulasë në Samitin e 41-të të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit të mbajtur në Al-Ula, Arabi Saudite, më 5 janar 2021.
Ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, Faisal bin Ferhan Al Saud, në një konferencë për shtyp pas samitit, njoftoi se vendet që kishin vendosur embargo ndaj Katarit kanë rivendosur marrëdhëniet diplomatike me Dohën dhe se embargoja është hequr.