Pas marrëveshjes së re për udhëtim pa pasaportë, presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan tha sot se pret që numri i turistëve serbë që vizitojnë Turqinë të shënojë rekord të ri, raporton Anadolu Agency (AA).
“Ne presim që numri i turistëve nga Serbia që vizitojnë vendin tonë këtë vit – duke thyer një rekord – të kalojë 300.000 për herë të parë”, tha Erdoğan në Forumin e Biznesit Turqi-Serbi në kryeqytetin serb Beograd.
Gjatë vizitës së Erdoğan-it – ndalesa e dytë e turneut ballkanik – Turqia dhe Serbia nënshkruan shtatë marrëveshje në fusha si ekonomia, industria dhe teknologjia, duke përfshirë një protokoll që lejon udhëtimin pa pasaportë për shtetasit nga të dyja palët.
Erdoğan tha se marrëveshja do të ndihmojë në avancimin e marrëdhënieve dypalëshe në nivel më të lartë.
“Investimet tona në Serbi kanë shënuar ngritje të lartë në dekadën e fundit, nga 1 milion dollarë në 400 milionë dollarë. Numri i kompanive tona në Serbi tani shkon në 1.300”, tha presidenti turk.
Ai shtoi se kompanitë turke kanë një vëllim biznesi prej rreth 847 milionë dollarë në Serbi, me 50 projekte në rajone të ndryshme.
Dera e Turqisë është e hapur për sipërmarrësit serbë që duan të investojnë në vend, tha ai. /aa