RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Erdoğan në Ukrainë: Nuk duam të përjetojmë një Çernobil të ri

erdogan-ne-ukraine:-nuk-duam-te-perjetojme-nje-cernobil-te-ri

Erdoğan, Zelenskyy dhe Guterres u mblodhën në Lviv për të diskutuar hapat që mund të ndërmerren për t’i dhënë fund luftës Ukrainë-Rusi përmes mjeteve diplomatike dhe për të ruajtur mekanizmin për eksportin e drithit ukrainas

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, shprehu shqetësim për përleshjet rreth termocentralit bërthamor në Zaporizhzhia të Ukrainës, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ne shprehëm shqetësimin tonë për konfliktin e vazhdueshëm rreth termocentralit bërthamor në Zaporizhzhia. Nuk duam të përjetojmë një Çernobil të ri”, tha Erdoğan në një konferencë shtypi pas takimit trepalësh me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres.

Erdoğan, Zelenskyy dhe Guterres u mblodhën në qytetin ukrainas Lviv për të diskutuar hapat që mund të ndërmerren për t’i dhënë fund luftës Ukrainë-Rusi përmes mjeteve diplomatike dhe për të ruajtur mekanizmin e krijuar së fundmi për eksportin e drithit ukrainas në tregjet botërore.

“Gjatë takimit tonë trepalësh, ne vlerësuam gjithashtu mundësitë e transformimit të atmosferës pozitive të krijuar nga marrëveshja e Istanbulit në paqe të përhershme”, tha Erdoğan.

Erdoğan tha se e gjithë bota ka filluar të ndiejë “efektet pozitive” të marrëveshjes, e cila mundësoi eksportin e sigurt të drithit ukrainas nëpërmjet Detit të Zi në pjesën tjetër të botës.

Më 22 korrik, Turqia, OKB-ja, Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje në Istanbul për të rihapur tre porte ukrainase të Detit të Zi për eksportimin e drithit ukrainas të bllokuar për shkak të konfliktit ushtarak, i cili tani është në muajin e gjashtë.

Në adresimin e tij, presidenti turk riafirmoi mbështetjen për integritetin territorial të Ukrainës.

Turqia po punon për t’i dhënë fund konflikteve në mënyrë diplomatike, tha ai, duke shtuar: “Ne kemi qëndruar pranë miqve tanë ukrainas dhe vazhdojmë ta bëjmë këtë”.

Presidenti Erdoğan deklaroi se vendi i tij aktualisht strehon përkohësisht rreth 350 mijë ukrainas.

Ai theksoi se komuniteti ndërkombëtar duhet të marrë më shumë përgjegjësi në përpjekjet diplomatike.

Ndërkaq, duke folur në konferencën për shtyp, shefi i OKB-së Guterres tha se marrëveshja historike në Istanbul u nënshkrua për të ndihmuar njerëzit e prekur në çdo cep të botës.

“Që nga pushtimi rus i Ukrainës, kam qenë i qartë: Nuk ka zgjidhje për krizën globale të ushqimit pa siguruar akses të plotë global në produktet ushqimore të Ukrainës dhe ushqimin dhe plehrat ruse”, shtoi ai.

Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Zelenskyy tha se Rusia duhet të tërheqë menjëherë trupat e saj nga centrali bërthamor në Zaporizhzhia dhe t’u japë fund provokimeve dhe sulmeve. /aa

Related posts

Kurti për 15 modelet e ofruara për Asociacionin: Jemi duke i trajtuar

admin

Lirohen autobusët me qytetarë shqiptarë të bllokuar në Serbi

admin

Kanada – Ndotja nga zjarret ekspozon qytetarët ndaj rreziqeve të mëdha shëndetësore

rezart morina