Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, në takimin me homologun e tij iranian, Masoud Pezeshkian, ka theksuar se është me rëndësi të merren hapa që i shërbejnë paqes kundër “agresionit të Izraelit që kërcënon” sigurinë rajonale, raporton Anadolu.
Erdoğan dhe Pezeshkian zhvilluan një takim me dyer të mbyllura në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York për të diskutuar marrëdhëniet dypalëshe, sulmet e Izraelit ndaj Palestinës dhe Libanit, si dhe zhvillimet rajonale dhe globale.
“Komuniteti ndërkombëtar sa më parë duhet të ngrejë zërin e tij më shumë në bazë të ligjit ndërkombëtar, diplomacisë dhe të drejtave të njeriut për t’i dhënë fund dhunës që Izraeli po kryen në territoret palestineze dhe libaneze”, i tha presidenti turk homologut të tij iranian.
Sipas Drejtorisë së Komunikimeve të Turqisë, Erdoğan në takim tha se vendi i tij “po shton përpjekjet për të ofruar ndihmë humanitare për civilët në territoret palestineze, veçanërisht në Gaza, ku po ndodhin masakra izraelite”.
Për lidhjet historike dhe kulturore midis Turqisë dhe Iranit, Erdoğan shprehu besim se marrëdhëniet dypalëshe do të zhvillohen dhe forcohen në çdo fushë.
Ky ishte takimi i parë kokë më kokë midis presidentit Erdoğan dhe presidentit të ri të Iranit, i cili u zgjodh në muajin korrik pasi paraardhësi i tij, Ebrahim Raisi, humbi jetën si pasojë e rrëzimit të helikopterit në muajin maj që më vonë.