Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, i tha shefit të NATO-s Jens Stoltenberg se Suedia dhe Finlanda duhet të ndërmarrin hapa konkretë kundër terroristëve të PKK/YPG-së, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një telefonatë, Erdoğan dhe Stoltenberg diskutuan synimin e Suedisë dhe Finlandës për t’u bashkuar me aleancën e NATO-s, sipas një deklarate nga Kryesia e Komunikimeve e Presidencës së Turqisë.
Të dy vendet nordike duhet të angazhohen për heqjen e embargos që është aktualisht në fuqi kundër eksporteve të industrisë turke të mbrojtjes dhe të sigurojnë që nuk do të ndërmarrin asnjë veprim të tillë në të ardhmen, ka thënë Erdoğan.
Stoltenberg tha se kishte një “telefonatë të mirë” me presidentin Erdoğan për të diskutuar aplikimet e Finlandës dhe Suedisë për në NATO.
“Ne ramë dakord që të vazhdojmë bisedimet në Bruksel dhe Madrid javën e ardhshme”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s në Twitter.
Muajin e kaluar, Suedia dhe Finlanda aplikuan zyrtarisht për t’u anëtarësuar në NATO, vendim i nxitur nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës që filloi më 24 shkurt.
Por Turqia, një anëtare e kahershme e NATO-s, ka shprehur kundërshtime ndaj aplikimeve për anëtarësim, duke kritikuar të dy vendet për tolerimin dhe madje edhe mbështetjen e grupeve terroriste.
Në fushatën e saj terroristi mbi 35-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian (BE), është përgjegjëse për vdekjen e mbi 40 mijë njerëzve, përfshirë shumë gra, fëmijë dhe foshnja. YPG është dega siriane e PKK-së. /aa