Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka bërë të ditur se vendi i tij në muajin mars do të nisë ndërtimin e shtëpive në zonat e goditura pas dy tërmeteve të mëdha në Turqinë jugore më 6 shkurt, raporton Anadolu.
Në një konferencë për media në provincën Hatay, presidenti Erdoğan tha se ndërtimi i afër 200 mijë shtëpive për viktimat e tërmetit do të nisë në muajin mars në 11 provinca, Adana, Adımayan, Diyarbakır, Gaziantep, Hatay, Kahramanmaraş, Kilis, Malatya, Osmaniye, Şanlıurfa dhe Elazığ, të gjitha këto të prekura nga tërmetet me magnitudë 7.7 dhe 7.6.
Erdoğan njoftoi se nevoja për strehim për mbi 1.68 milionë njerëz të prekur nga dy tërmetet, me qendër në provincën Kahramanmaraş, është plotësuar. Gjithashtu, shtoi ai, 115 mijë të mbijetuar deri më tani janë shpëtuar nga rrënojat pas tërmeteve.
Sipas shifrave të fundit zyrtare, të paktën 41.156 persona humbën jetën dhe 105.505 të tjerë u plagosën nga dy tërmetet e fuqishme që goditën pjesën jugore të vendit.
Si pasojë e tërmetit, gjithashtu edhe në Siri humbën jetën të paktën 5.840 persona.
Basın Açıklaması | Hatay AFAD Merkezihttps://t.co/A1cfPWxU7L
— Recep Tayyip Erdoğan (@RTErdogan) February 20, 2023