Mandarinat janë ndër agrumet më të preferuara në vendin tonë, madje edhe prodhimtaria është e lartë.
Ato konsiderohen një thesar vlerash, sepse ofrojnë shumë vitaminë C, folat dhe beta karoten.
Për më tepër, konsumi i mandarinave ndihmon në parandalimin e diabetit, ishemisë e shumë sëmundjeve të tjera.
Përveç frutit dhe lëkurës, farat e kësaj agrumeje konsiderohen të shkëlqyera për shëndetin.
Farat e mandarinave dhe vlerat potenciale
Antioksidantët
Mandarinat dhe farat e tyre përmbajnë shumë antioksidantë, të cilat ju mbrojnë kundër radikaleve të lira.
Këto të fundit prodhohen nga trupi si kundërpërgjigje e ndotjes, radiacionit, tymit të duhanit, etj.
Radikalet e lira dëmtojnë qelizat dhe i çelin rrugën një sërë sëmundjesh.
Polifenolët
Polifenolët janë antioksidantë të fuqishëm.
Studimet shkencore për sasinë e polifenolëve në agrumet dhe farat e tyre kanë treguar se mandarinat dhe farat e tyre kanë sasinë më të madhe të polifenolëve në krahasim me agrumet e tjera.
Limonoidët
Limonoidët janë përbërës që gjenden tek farat, lëkura dhe fruti.
Këto substance pengojnë formimin e qelizave kancerogjene.
Limonoidët tek farat ulin edhe kolesterolin e keq.
Farat e mandarinave në mjekësinë popullore
Ekspertët e mjekësisë tradicionale përdorin farat e thata të mandarinës për të rregulluar energjinë trupore dhe larguar dhimbjet e organizmit.
Ata shprehen se farat e thata përdoren dhe janë efikase kundër hernies diskale.
Mjekët popullorë përdorin zakonisht fara të thata e të bluara.
Niveli i toksinave tek farat e mandarinave
Megjithatë në shumë vende, farat e mandarinës nuk kanë gjetur përdorim të njëjtë dhe mjekët kanë rekomanduar kujdes.
Në vendet perëndimore, shkencëtarët besojnë se farat e agrumeve siç janë portokallet, qitro, limonët, limonët jeshilë dhe mandarinat përmbajnë sasi të vogla toksinash.
Megjithatë farat e një fruti të vetëm nuk përmbajnë mjaftueshëm toksina sa të shkaktojnë dëm në organizëm.