RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Fëmijët në Gaza protestojnë për shkak të mungesës së ushqimit

femijet-ne-gaza-protestojne-per-shkak-te-mungeses-se-ushqimit

Dhjetëra fëmijë palestinezë në Rripin e Gazës, protestuan për shkak të mungesës së ushqimit dhe sulmeve intensive të Izraelit që vazhdojnë nga 7 tetori 2023 e deri më tani.

Fëmijët u mblodhën në rrugë dhe hapën pankarta me mbishkrimet “Buka është bërë ëndrra ime”, “Uria është e pa fe” dhe “Duam ushqim”. Fëmijët e vegjël duke goditur me lugë tenxheret e zbrazëta brohoritën me slogane të ndryshme që dënojnë sulmet në Gaza dhe të cilat shprehën kërkesën e tyre për një jetesë më të mirë.

Një nga fëmijët, 10-vjeçari Ayat Ashur në një deklaratë për AA gjatë protestës tha: “Po vdesim nga uria. Nuk ka asgjë për të ngrënë. Tashmë po hamë pëllumba”.

Pasi bëri të ditur se ushqimi është i shtrenjtë dhe se kanë nevojë për ndihmë, i vogli Ashur tha: “Njerëzit në veri të Rripit të Gazës nuk mund të gjejnë ushqim, ujë dhe qumësht për fëmijët tyre”. Ai u bëri thirrje vendeve arabe që “të qëndrojnë pranë popullit të Palestinës në Rripin e Gazës dhe të ndalin urinë me të cilën po përballen”.

Nga ana tjetër, Omar Al-Shambari tha se kanë dalë në rrugë për t’i treguar botës se ata si fëmijët tjerë duan ujë dhe ushqim. “Në ditë hamë vetëm një vakt ushqim, uji dhe salca nuk na mjaftojnë. Jemi lodhur duke ngrënë ushqim për kafshët që përbëhet nga elbi dhe misri i thatë. Vendet arabe dhe bota duhet të jenë në anën tonë”, tha Al-Shambari 14-vjeç.

Në njërën anë sulmet izraelite, në anën tjetër uria

Duke nisur nga 7 tetori i vitit 2023 Izraeli vazhdon sulmet e tij ajrore, tokësore dhe detare në Rripin e Gazës, ku jetojnë rreth 2,3 milionë palestinezë. Për shkak të sulmeve deri më sot janë vrarë 29.195 palestinezë shumica gra dhe fëmijë si dhe janë plagosur 69.170 palestinezë.

Sulmet e ushtrisë izraelite kanë zhvendosur 1,9 milion palestinezë në Gaza. Për shkak të vështirësive të shkaktuara nga Izraeli, në rajon nuk mund të dërgohet ndihma e mjaftueshme. Palestinezët nga njëra anë po luftojnë me sulmet izraelite dhe nga ana tjetër, me urinë që thellohet çdo ditë.

OKB-ja kishte paralajmëruar se 2,2 milionë njerëz në Rripin e Gazës nën sulmet intensive të Izraelit, ndodhen përballë rrezikut të urisë. Sipas OKB-së, 378 mijë njerëz në Gaza përballen me urinë e nivelit 5, e cila quhet “katastrofike” ndërsa 939 mijë njerëz përballen me urinë e nivelit 4 e cila njihet si “situatë emergjente” sipas shkallës së Klasifikimit të Fazës së Sigurisë Ushqimore të Integruar (IPC).

Pasiguria akute ushqimore në Rripin e Gazës ka arritur në 16,2 për qind, duke tejkaluar pragun prej 15 për qind që Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e përcakton si “kritike”. Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së (WFP) duke vënë në dukje sulmet e Izraelit, mori vendim që të ndalë shpërndarjen e ndihmave ushqimore që shpëtojnë jetën në veri të Gazës deri në plotësimin e kushteve që lejojnë shpërndarjen e sigurt.

Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) tha se palestinezët ndodhen në prag të urisë në veri të Rripit të Gazës, ku Izraeli ka shkaktuar fatkeqësi humanitare duke i detyruar ata të qëndrojë në uri dhe pa ujë. Palestinezët, kryesisht ata që jetojnë në veri të Gazës, për arsye se nuk mund të gjejnë miell, detyrohen të konsumojnë ushqim për kafshët duke e bluar atë.

Related posts

Erdogan beson se marrëveshja për grurin e Ukrainës do të vazhdojë

admin

Analiza/ Si po përgatiten aleatët e SHBA-së për një fitore të mundshme të Donad Trump?

admin

Bullgari, qeveria e përkohshme merr detyrën

RTI