Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, dënoi ashpër inkursionin e fundit të kryer nga forcat izraelite në qytetin Jenin në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Duke folur në një konferencë të përbashkët për media në Ankara me homologun e tij jordanez, Ayman Safadi, kryediplomati turk i bëri thirrje Tel Avivit të veprojë “me maturi”.
“Bastisjet e kolonëve dhe sulmet ndaj vëllezërve tanë të pafajshëm palestinezë duhet të ndalen sa më shpejt të jetë e mundur”, theksoi kryediplomati turk.
Ai shtoi se ua përcjellin autoriteteve izraelite pikëpamjet e tyre për të mirën e të gjithë rajonit në mënyrë të hapur dhe transparente.
Tensionet janë rritur në Bregun Perëndimor të pushtuar në muajt e fundit mes bastisjeve të përsëritura izraelite në qytetet palestineze.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Palestinës, pothuajse 190 palestinezë janë vrarë nga forcat izraelite që nga fillimi i këtij viti.
Të paktën 25 izraelitë janë vrarë gjithashtu në sulme të veçanta gjatë periudhës së njëjtë.
Djegia e Kuranit në Suedi
Duke folur mbi djegien e një kopjeje të librit të shenjtë mysliman, Kuranit, që ndodhi javën e kaluar në Stockholm, Fidan tha se e “dënojnë edhe një herë fuqishëm sulmin e poshtër ndaj Kuranit të Shenjtë në Stockholm dhe lejimin e këtij sulmi pavarësisht paralajmërimeve tona”.
Fidan tha se djegia që po ndodh lirshëm nën mbrojtjen e policisë, teksa Suedia vazhdon të kërkojë anëtarësimin në NATO, e bën këtë akt veçanërisht shqetësues.
“Paaftësia e sistemit të zbatimit të ligjit dhe sigurisë në Suedi për të reaguar ndaj incidenteve të tilla është shqetësuese në aspektin e sigurisë”, shtoi ai.
Fidan tha se dështimi i Stockholmit për të parandaluar këto provokime i sjell më shumë probleme NATO-s se sa fuqi.
Ai shtoi se për sa i përket vlerësimit strategjik dhe të sigurisë, çështja nëse anëtarësimi i Suedisë në NATO do të ishte një barrë ose një përfitim tani është e hapur për më shumë debat.
Finlanda dhe Suedia aplikuan për anëtarësim në NATO menjëherë pasi Rusia nisi luftën e saj në Ukrainë në shkurt 2022.
Megjithëse Turqia miratoi anëtarësimin e Finlandës në NATO, ajo pret që Suedia t’i përmbahet një memorandumi trepalësh të nënshkruar qershorin e kaluar në Madrid për të trajtuar shqetësimet e sigurisë së Ankarasë mbi terrorizmin.
“Nuk është e mundur që ne të bëjmë një vlerësim pozitiv në një mjedis ku grupet terroriste mund të organizojnë lehtësisht të gjitha llojet e aksioneve në rrugët e Stockholmit, të organizojnë demonstrata dhe protesta dhe të mbledhin para”, theksoi Fidan.
Më herët, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se Suedia nuk mund të shpresojë të anëtarësohet në NATO për sa kohë që strehon dhe mbështet terroristët dhe mbështetësit e tyre.
“Nëse Suedia vazhdon përpjekjet e saj dhe përmbush obligimet, ka gjithmonë alternativa, ashtu si në rastin e Finlandës”, tha Fidan.