Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan, duke folur rreth marrëdhënieve Turqi-Shqipëri tha se “Turqia dhe Shqipëria janë dy kombe, dy shtete me afërsi historike dhe lidhje të palëkundura si shtet ashtu dhe si komb”, raporton Anadolu.
Këtë vlerësim Fidan e bëri pas takimit të tij me homologun shqiptar Igli Hasani në Tiranë.
Ai falënderoi Hasanin për mikpritjen duke shtuar se edhe më parë është gjendur në Shqipëri për detyra të ndryshme.
Fidan tërhoqi vëmendjen se me homologun e tij ka zhvilluar “një takim shumë të frytshëm”, duke shtuar se gjatë vizitës së tij do të takohet edhe me presidentin dhe kryeministrin e Shqipërisë.
Kryediplomati turk theksoi se mes liderëve të të dyja vendeve ka “një miqësi dhe solidaritet të sinqertë. “Turqia dhe Shqipëria janë dy kombe, dy shtete me afërsi historike dhe lidhje të palëkundura si shtet ashtu dhe si komb”, tha Fidan.
Fidan nënvizoi se Turqia dhe Shqipëria janë të vendosura për të avancuar marrëdhëniet dypalëshe në çdo fushë. Ai tha se të dyja vendet vazhdojnë të punojnë në shumë fusha të ndryshme si ekonomia, tregtia, diplomacia, çështjet rajonale dhe kultura.
Duke theksuar se bashkëpunimi mes dy vendeve mund të ndikojë në zhvillimin rajonal, Fidan tregoi se ka mekanizma të krijuar për ta çuar këtë edhe më tej. Fidan tha se në vitin 2024 synojnë të zhvillojnë takimin “E parë të Këshillit të Bashkëpunimit Strategjik të Nivelit të Lartë”. “Ne kemi një vendosmëri që në fazën e parë të rrisim vëllimin e tregtisë mes dy vendeve në 2 miliardë dollarë”, u shpreh Fidan.
Kryediplomati turk informoi se në Shqipëri ka patur rastin të takohet edhe me biznesmenë turq dhe theksoi nevojën për avancimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve.
– Lufta kundër terrorizmit
Fidan më tej njoftoi se me homologun e tij kanë shkëmbyer mendime në fusha të ndryshme, përfshirë luftën kundër terrorizmit dhe sigurisë rajonale.
“Ritheksuam ndjeshmërinë e Turqisë lidhur me pastrimin edhe të mbetjeve të fundit të FETO-s në Shqipëri. Ne patëm mundësinë të diskutonim se çfarë lloj masash mund të ndërmerren për këtë çështje dhe si të veprohet”, tha Fidan.
Ai gjithashtu rikujtoi se Shqipëria në vitin 2023 ka marrë përsipër anëtarësimin e përkohshëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB), duke e vlerësuar këtë periudhë si të suksesshme dhe një arritje të rëndësishme për diplomacinë shqiptare.
“Bashkëpunimi rajonal dhe solidariteti i Turqisë do të vazhdojë me Shqipërinë si në platformat globale ashtu edhe në ato rajonale”, tha Fidan duke përgëzuar Shqipërinë për marrjen e presidencës së radhës së Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi nga Turqia.
Ai e cilësoi këtë platformë të rëndësishme duke e theksuar nevojën e rigjallërimit më tej dhe se duhet të zbatohen projekte të kualifikuara.
Fidan tha se në takim gjithashtu kanë biseduar rreth çështjeve rajonale dhe globale. “Në veçanti, diskutuam për ndikimin e luftës Rusi-Ukrainë në Evropë, ndikimin e saj në sigurinë e Evropës, ndikimin e saj në ekonominë evropiane, ndikimin e saj në ekonominë dhe sigurinë globale”, tha Fidan.