RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Fillon largimi i kolonave ushtarake serbe nga kufiri mes Kosovës dhe Serbisë

fillon-largimi-i-kolonave-ushtarake-serbe-nga-kufiri-mes-kosoves-dhe-serbise

Të shtunën është vërejtur lëvizja e një autokolone ushtarake në jug të Serbisë, nga drejtimi i Vranjës në drejtim të Nishit, afër qytetit të Predejanës, pas shqetësimeve që Uashingtoni dhe Brukseli shprehën për zhvendosjen e forcave serbe përgjatë kufirit me Kosovën.

Qyteti i Predejanit ndodhet 300 kilometra në jug të Beogradit dhe rreth 100 kilometra nga pikëkalimi më i afërt kufitar ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Merdarë.

Kolona me automjete të ushtrisë serbe, siç thekson reporteri i REL, rreth mesditës po lëvizte nga jugu në veri të vendit.

Zhvendosja trupave serbe përgjatë kufirit me Kosovën vjen rreth një javë pas sulmit të 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë një zyrtar policor.

Serbia i ka mohuar akuzat e Kosovës se ajo është përfshirë në këtë sulm të cilësuar si terrorist nga autoritetet kosovare.

Mesazhe nga SHBA dhe BE

Shtetet e Bashkuara (SHBA) dhe Bashkimi Evropian (BE) kanë shprehur shqetësimin e tyre për vendosjen e trupave serbe pranë kufirit me Kosovën.

Gjatë një bisede me gazetarët më 29 shtator, koordinatori për komunikime strategjike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, shprehu shqetësimin e Uashingtonit, për siç tha, “dislokimin e madh” të trupave të Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën.

Një ditë më vonë, kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, theksoi se BE-ja është shumë e shqetësuar për forcimin e pranisë ushtarake të Serbisë përgjatë kufirit dhe tha se kjo është “shqetësuese dhe duhet të ndalet menjëherë”.

Cili është reagimi i Beogradit?

Megjithatë, Serbia pretendon se nuk e ka ngritur nivelin e gatishmërisë luftarake.

Në një deklaratë për media më 29 shtator, presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se “ka të pavërteta për nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake të Serbisë”, pasi, siç pretendon, ai nuk e ka miratuar këtë.

Pas sulmit ndaj policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, Ushtria Serbe përmes një komunikate për media (27 shtator) njoftoi se ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq, i vizitoi njësitet e ushtrisë “në zonën e dislokimit të tyre” atë ditë, por pa saktësuar se në cilën pjesë të Serbisë.

Ushtria serbe ka dislokuar trupat e saj përgjatë kufirit me Kosovën, pas sulmit ndaj policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit.

Kosova e fajëson Serbinë për këtë sulm, e cila mohon çdo lidhje dhe njoftoi se do ta hetojë njërin prej liderëve kryesorë të serbëve të Kosovës, Millan Radoiçiq, i cili e mori përgjegjësinë e plotë për sulmin, sipas avokatit të tij.

Redaksia dërgoi pyetje Ministrisë së Mbrojtjes në Qeverinë e Serbisë për paralajmërimet e Uashingtonit dhe mbi çfarë baze ushtria po grupohet rreth kufirit nëse – siç tha presidenti serb Aleksandar Vuçiq – ai nuk e nënshkruan ngritjen e gatishmërisë luftarake, por nuk mori përgjigje deri në publikimin e këtij teksti

Related posts

Grupi mysliman parashtron padi për t’i dhënë fund listës sekrete të FBI-së

rezart morina

Aksident i shumëfishtë në Itali, autobusi me 38 pasagjerë del nga rruga, raportohet për të vdekur

admin

Palestina: Janari 2023, muaji më i përgjakshëm në Bregun Perëndimor që nga viti 2015

admin