Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) njoftoi kredinë e tij të parë për një vend në luftë, duke thënë se po ofron një paketë të re financimi me vlerë miliarda dollarë për Ukrainën.
Huaja është pjesë e një pakete ndihme ndërkombëtare prej 115 miliardë dollarësh.
Vendi i Evropës Lindore ka mbrojtur veten kundër një pushtimi nga fqinji rus që nga shkurti i vitit 2022.
FMN-ja ka ndryshuar së fundi rregullat e saj për të lejuar programe kredie për vendet që përballen me “pasiguri jashtëzakonisht të lartë”.
”Programi katërvjeçar i kredisë i miratuar nga bordi ekzekutiv të premten do t’i japë vendit akses në 15,6 miliardë dollarë”, tha FMN.
Vendimi i bordit ekzekutiv kërkon disbursimin e menjëhershëm të rreth 2,7 miliardë dollarëve, me fokus fillestar në një buxhet të shëndoshë dhe mobilizimin e të ardhurave.
”Më pas, reformat strukturore ambicioze do të trajtohen në Ukrainë”, tha FMN.
“Pushtimi rus i Ukrainës vazhdon të ketë një ndikim shkatërrues ekonomik dhe social”, shtoi ajo.
Megjithatë, autoritetet kanë arritur të ruajnë stabilitetin e përgjithshëm financiar, falë politikave të zgjuara dhe mbështetjes së jashtme të konsiderueshme.
”Në të njëjtën kohë, qeverisja duhet të përmirësohet për të mundësuar rritjen afatgjatë pas përfundimit të luftës”, theksoi ajo.
Kievi kishte rënë dakord tashmë për programin e huasë me donatorët ndërkombëtarë rreth dy javë më parë.
Megjithatë, kjo marrëveshje ende duhej të miratohej nga bordi ekzekutiv. /atsh