“Thatësira e jashtëzakonshme” ka privuar shumë qytete nga uji, thonë autoritetet duke shtuar se kjo përbën një “dramë” në aspektin e fermerëve, ekosistemeve dhe biodiversitetit në vend
Kryeministrja e Francës, Elisabeth Borne, u bëri thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm në përdorimin e ujit për shkak të thatësirës historike të përjetuar në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë nga kryeministria theksohet se Franca po kalon në një periudhë thatësire të gjatë që ka vendosur nën ndikimin e saj të gjithë vendin dhe se kjo është thatësira “më serioze” e vendit e regjistruar deri sot.
Në deklaratë paraqiten mendimet e kryeministres Borne, e cila u bën thirrje francezëve që të jenë “shumë të kujdesshëm” në përdorimin e ujit.
Ndër të tjera Borne theksoi se janë marrë masa kufizuese për të garantuar përdorimin e ujit të pijshëm e të shëndetshëm.
“Thatësira e jashtëzakonshme” ka privuar shumë qytete nga uji, thuhet në deklaratën në të cilën shtohet se kjo përbën një “dramë” në aspektin e fermerëve, ekosistemeve dhe biodiversitetit në vend.
Në deklaratë gjithashtu bëhet e ditur se për shkak të situatës është aktivizuar njësia e krizës ndërmjet ministrive.
Njësia përmes prefekturave do të transmetojë informacion rreth rajoneve që janë prekur më shumë nga thatësira dhe kjo do të luajë rol të rëndësishëm në fillimin e hapave të nevojshëm për furnizimin me ujë dhe ujë të pijshëm. /aa