Sipas sondazheve paszgjedhore, partia e djathtë ”Fratelli d’Italia” (FDI) e Giorgia Melonit ka fituar zgjedhjet parlamentare.
Sipas rezultateve paraprake të sondazheve të institutit ”Opinio” për Rai-n, renditja është si më poshtë:
FDI 22-26%
LEGA 8,5-12,5%
Forza Italia 6-8%
NM 0,5-2,5%
Qendra e djathtë italiane ka marrë deri tani 41-45% të votave, thënë ndryshe 227-257 vende në parlament.
Si udhëheqëse e partisë më të madhe, Giorgia Meloni mund të drejtojë qeverinë e ardhshme si kryeministrja e parë e Italisë.
Qendra e majtë ka marrë 25-29% të votave, thënë ndryshe 78-98 vende në parlament.
Rezultatet përfundimtare do të bëhen të ditura nesër.
Gazetarja Giorgia Meloni, 45 vjeçe, ka qenë aktiviste për tre dekada në grupe dhe formacione të vogla nga Lëvizja Sociale Italiane (MSI), një parti postfashiste e krijuar pas Luftës së Dytë Botërore nga njerëz nostalgjikë të Benito Musolinit.
Gjatë fushatës, kjo oratore e talentuar nuk pushoi kurrë së dërguari shenja respekti për votuesit e frikësuar nga trashëgimia e saj ideologjike, duke siguruar se “nostalgjikët e fashizmit” nuk kishin vend në partinë e saj.
Euroskeptike, mbrojtëse e një Evrope kombesh, por atlantiste, pohon ajo, për të siguruar Brukselin se Italia do të qëndrojë përkrah partnerëve të saj për të mbështetur Ukrainën kundër Rusisë. /atsh