Frika prej Allahut e ruan njeriun që të mos bjerë në haram. Si shembull do të përmendim rrëfimin e atyre tre vetave që hynë në shpellë dhe pas hyrjes së tyre ra një shkëmb i madh te hyrja e shpellës dhe e mbylli atë. Nuk kishin si të dilnin prej aty, u bllokuan brenda. Njëri prej tyre tha: “O Allah! E dashuroja një vajzë, ajo ishte njeriu më i dashur për mua se çdo kush tjetër, e doja për vete, por ajo nuk më lejoi. Një vit mbretëronte uria dhe erdhi tek unë të më kërkonte të holla për borxh. Ia dhashë njëqind e njëzet dinarë, me kusht që të më dorëzohej, ashtu si i dorëzohet gruaja burrit të saj. Kur iu afrova, ajo (duke qarë) më tha: ‘Frikësoju Allahut, nuk të lejohet të ma marrësh virgjërinë pa të drejtë.’ Më erdhi turp dhe u largova prej saj, edhe pse ishte njeriu më i dashur tek unë. Të hollat ia lashë dhe nuk i mora. O Allah! Nëse këtë vepër e bëra për hir të Fytyrës Sate, na e lehtëso gjendjen që jemi.” Shkëmbi lëvizi edhe pak nga hyrja e shpellës…”
Hasan El-Basrij, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Ishte një grua që merrej me imoralitet. Ishte gruaja më e bukur në kohën e saj, ai që donte t’i afrohej duhej të paguante njëqind dinarë (ari). Një burrit i pëlqeu shumë, por për t’iu afruar u desh të punonte derisa i tuboi të hollat. Ajo i tha: ‘Jepja të hollat administratorit tim t’i numërojë.’ Pasi i numëroi dhe u vërtetua që sasia ishte e saktë, i dha leje të hynte brenda. Shtëpia ishte e rregulluar mirë dhe shtratin e kishte prej ari. I tha: ‘Eja këtu.’ Burri u afrua, por në atë moment iu kujtua qëndrimi para Allahut, e kapi frika dhe iu fik dëshira që t’i afrohej. Tha: ‘Më lër të dal dhe do të t’i jap njëqind dinarë.’ Ia ktheu: ‘Çfarë të gjeti ty?’ Burri i tha: ‘Kur të pashë më pëlqeve, punova dhe u mundova derisa i tubova të hollat që të vija te ti. Kur arrita në shtëpinë tënde, ndodhi ajo që ndodhi. Ajo që më nxiti mos të të afrohem është frika prej Allahut, e kujtova qëndrimin tim para Allahut.’ Gruaja i tha: ‘Nëse je i sinqertë në këtë që po e thua, nuk dua burrë tjetër përveç teje!’ Burri i tha: ‘Më lër të dal jashtë.’ Ajo i tha: ‘Të jap leje, veç nëse më jep premtimin se do të më martosh.’ Ai i tha: ‘Jo, derisa nuk dal prej këtu.’ Ajo i tha: ‘Më jep besën para Allahut që vjen dhe më marton.’ Ai i tha: ‘Ndoshta.’ I mori rrobat, doli jashtë dhe shkoi në vendbanimin e tij. Gruaja ndjeu keqardhje, u pendua për gjynahet e saj, i shkoi pas derisa arriti te vendbanimi i tij. I pyeti njerëzit për emrin dhe shtëpinë e tij. I treguan dhe e udhëzuan ku të shkonte. Njerëzit shkuan te dera e tij dhe i thanë se ka ardhur një mbretëreshë po interesohet për ty. Doli jashtë dhe kur e pa, shpërtheu në lot, qante me ngashërim dhe ra i vdekur! Ajo u mërzit dhe të pranishmëve u tha: ‘A ka dikë të afërt?’ I thanë: ‘Po, e ka një vëlla, është njeri i varfër.’ Gruaja i tha vëllait të atij burrit: ‘Do të martohem me ty për hir të dashurisë ndaj vëllait tënd.’ U martuan dhe ia lindi shtatë djem.”
Një earabë (banor i shkretëtirës) thotë: “Një natë të errët dola jashtë, rrugës e takova një grua të bukur dhe dëshirova t’i afrohesha. Më tha: ‘Mjerë për ty! Ku e ke mendjen, pasi ndalesat fetare po i shpërfill?!’ I thashë: ‘Pasha Allahun, tani nuk na sheh askush përveç këtyre yjeve.’ Ajo ia ktheu: ‘E ku është Krijuesi i yjeve?’ ”
Dr. Muhamed el-Munexhid
Nga arabishtja: Irfan JAHIU
(Pjesë nga libri “Frenat”, është i përkthyer në gjuhën shqipe)