Grupi i Shtatë Vendeve të Industrializuara do të shqyrtojë alternativa për shfrytëzimin e të ardhurave nga pasuritë e ngrira të Rusisë, për të rritur fondet për Ukrainën e shkatërruar nga lufta, thanë të shtunën, ministrat e Financave të G7-ës, por pa dhënë detaje se si do ta bënin këtë.
Vendet e G7-ës dhe aleatët ngrinë rreth 300 miliardë pasuri ruse pak kohë pasi Moska nisi agresionin ndaj vendit fqinj në shkurt të vitit 2022.
“Po bëjmë përparime në diskutimet mbi rrugët e mundshme për shfrytëzimin në dobi të Ukrainës të përfitimeve të jashtëzakonshme që rrjedhin nga pasuritë ruse”, tha G7 në përfundim të një takimi dy ditor në veri të Italisë.
Mbështetja financiare për Ukrainën dhe rritja e eksporteve të Kinës ishin dy nga çështjet kryesore në komentet e ministrave të financave, që u mblodhën në qytetin Stresa.
Shtetet e Bashkuara kanë nxitur partnerët e saj të G7-ës, Japoninë, Gjermaninë, Francën, Britaninë, Italinë dhe Kanadanë që të mbështesin një kredi që mund t’i sigurojë Kievit deri në 50 miliardë dollarë në një afat të afërt. Kjo çështje do të diskutohet nga udhëheqësit e G7-ës në takimin e nivelit të lartë në jug të Italisë në mes të qershorit. Megjithatë, formulimi i kujdesshëm i deklaratës, që nuk përmban shifra apo detaje, pasqyron shumë aspekte ligjore dhe teknike të cilat duhet të trajtohen përpara se të jepet një kredi e tillë.
“Nuk jemi ende gati për gjetjen e mekanizmave të qarta, të mëtejshme për të financuar Ukrainën, por për këtë çështje tani do të punohet intensivisht”, u tha gazetarëve ministri gjerman i Financave, Christian Lindner.
Ministri i Financave të Rusisë, Anton Siluanov paralajmëroi se Rusia do të përgjigjet në mënyrë të ndërsjellë në rast se Perëndimi, përdor në mënyrë të paligjshme, siç u shpreh, ai pasuritë ruse. Qeveria e tij tashmë ka marrë kontrollin e disa bizneseve perëndimore aktive në Rusi.
Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen tha se mundësia për një hua për Kievin ishte “alternativa kryesore” që mund të shqyrtojnë udhëheqësit e G7-ës muajin e ardhshëm, por shtoi se “nuk do të përjashtonte mundësi të tjera”.
Negociatorët e G7-ës kanë diskutuar për javë të tëra se si të shfrytëzohen më mirë pasuritë ruse, si llogaritë bankare dhe letrat me vlerë, të cilat janë ngrirë nga institucionet financiare në Evropë. Një marrëveshje e mundshme duhet të firmoset nga të 27 vendet anëtare të BE-së.
Ministrave iu bashkua të shtunën ministri i Financave i Ukrainës, Serhiy Marchenko, ndërsa forcat ukrainase po përpiqen të frenojnë ofensivën ruse në veri dhe në lindje të vendit.
Kritikat ndaj Kinës
Rritja e eksporteve të Kinës dhe ajo që ministrat e G7 e quajnë “mbikapaciteti” i saj industrial ishte një çështje kryesore në takimin që u mbajt në Stresa.
“Shprehim shqetësime në lidhje me përdorimin nga Kina të politikave dhe praktikave jo-tregtare që dëmtojnë punëtorët, industritë dhe qëndrueshmërinë ekonomike”, thuhet në deklaratë.
“Ne do të vazhdojmë të mbikëqyrim ndikimet e mundshme negative të mbikapacitetit dhe do të shqyrtojmë marrjen e hapave për të siguruar konkurrencë në kushte të barabarta, në përputhje me parimet e Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT)”, theksohej më tej në deklaratë.