Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se të paktën 37 palestinezë të tjerë u vranë në sulmet izraelite në Rripin e Gazës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të personave të vrarë në 39.400 që nga 7 tetori i kaluar, raporton Anadolu.
Në një deklaratë të ministrisë thuhet se gjithsej 90.996 persona janë plagosur në sulm.
“Forcat izraelite vranë 37 persona dhe plagosën 73 të tjerë në tre masakra kundër familjeve në 24 orët e fundit”, tha ministria, duke shtuar:
“Shumë njerëz janë ende të bllokuar nën rrënoja dhe në rrugë pasi shpëtimtarët nuk janë në gjendje të arrijnë deri te ata”.
Duke shkelur rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon armëpushim të menjëhershëm, Izraeli është përballur me reagimin ndërkombëtar në mes të ofensivës brutale të vazhdueshme në Gaza që nga sulmi i 7 tetorit nga grupi palestinez Hamas.
Mbi nëntë muaj pas sulmit izraelit, pjesë të mëdha të Gazës qëndrojnë në gërmadha mes një bllokade shkatërruese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), e cila e urdhëroi atë të ndalojë menjëherë operacionin e tij ushtarak në qytetin jugor të Rafahut, ku më shumë se 1 milion palestinezë kishin kërkuar strehim nga lufta përpara se të pushtohej më 6 maj.