Të paktën 10 persona u vranë, përfshirë katër fëmijë, në një sulm ajror izraelit në kampin e refugjatëve Nuseirat në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, transmeton Anadolu.
Siç mjoftoi agjencia zyrtare e lajmeve Wafa, sulmi vjen në mes të një ofensive të pamëshirshme izraelite në Rripin e Gazës, në të cilën janë vrarë të paktën 28.663 njerëz dhe janë plagosur 68.395 të tjerë që nga 7 tetori.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza ende nuk ka konfirmuar viktimat në kampin e refugjatëve Nuseirat.
Izraeli filloi sulmet në Rripin e Gazës që nga inkursioni ndërkufitar nga grupi palestinez i rezistencës Hamas në tetor, në të cilin, sipas Tel Avivit, pretendohet se janë vrarë afro 1200 izraelitë.
Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), lufta izraelite në Gaza ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së enklavës në mes të mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës është dëmtuar ose shkatërruar.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), e cila në një vendim të përkohshëm këtë janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.