Gjykata e punës në Bonn të Gjermanisë vendosi që gazetarja palestineze Maram Salem të cilën Deutsche Welle (DW) e ka shkarkuar me pretendimin se ka përdorur deklarata antisemitike, është shkarkuar nga puna në mënyrë të padrejtë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Gjykata e punës në Bonn ka shpallur të pavlefshëm prishjen e kontratës së punës së Maram Salem nga Deutsche Welle.
Në vendimin e saj gjykata ka theksuar se postimet e Salem në Facebook nuk janë antisemitike dhe se shkarkimi i saj nga detyra është në kundërshtim me ligjin.
Në një deklaratë me shkrim, Salem tha se prej një kohe të gjatë ka ndërmarrë fushata në çështjet e të drejtave të grave, të drejtave të njeriut, të drejtave të kafshëve dhe se pretendimet e kanë mërzitur.
Salem i bëri thirrje DW që të marrë përgjegjësi dhe të kërkojë falje përpara opinionit publik si dhe të tërheqë pretendimet e saj. “DW nuk duhet të përpiqet më të ndërpresë kontratat e punës së palestinezëve që shprehin shkeljet e të drejtave të njeriut nga Izraeli kundër palestinezëve. Vendimi tregon se tashmë fushatat e urrejtjes kundër meje ose grave palestineze si Nemi El-Hassan nuk do të jenë më të suksesshme. Që në fillim ishte e qartë se isha e pafajshme”, tha ajo.
Avokati Ahmed Abed tha se gjykata ka theksuar qartë se pretendimet për antisemitizëm kundër Maram janë të pabaza. “Tashmë Deutsche Welle duhet të mbrojë Maram në vend që t‘i dorëzohet agjitacionit”, shtoi Abed.
Ndaj vendimit në fjalë, DW ka të drejtën e apelimit brenda një muaji. Po ashtu DW duhet të paguajë edhe shpenzimet gjyqësore që arrijnë në 36 mijë euro