Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, me ftesë të ministrit për Evropën dhe Punë të Jashtme të Francës, po merr pjesë në Konferencën e 45-të Ministrore të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë që po mbahet sot në Paris.
Në një njoftim të MPJD-së thuhet se kjo pjesëmarrje është një mundësi e rëndësishme për Kosovën për të avancuar interesat e saj në skenën ndërkombëtare dhe për të krijuar lidhje të reja të rëndësishme bashkëpunimi me vendet anëtare të ONF.
“Gjatë kësaj konference, Kosova do të promovojë aspiratat e saj për zhvillim të qëndrueshëm dhe të forcojë dialogun me vendet frankofone, duke përfituar nga përvoja dhe mbështetja e tyre në fusha kyçe si ekonomia, inovacioni dhe edukimi. Për më tepër, pjesëmarrja e Kosovës në këtë konferencë që mban moton “Krijoni, inovoni dhe ndërmerrni në frëngjisht” nënvizon përkushtimin e saj ndaj diversitetit kulturor dhe gjuhësor, si dhe përpjekjet për të zgjeruar hapësirat e diplomacisë ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e zyrës për informim të MPJD-së.
Gjithashtu thuhet se përfshirja e Kosovës në këtë konferencë është një hap konkret në vazhdimin e rrugës së saj drejt integrimit më të thellë në organizatat ndërkombëtare, duke forcuar marrëdhëniet me partnerët aktualë dhe duke ndërtuar ura të reja bashkëpunimi me vendet e tjera anëtare të ONF.
The post Gërvalla: Pjesëmarrja e Kosovës në konferencën në Paris, rrugë integrimi first appeared on Radio Televizioni Iliria.