Është arritur në Gjermani dakordësia për reformën e nënshtetësinë. Në këtë mënyrë, të huajt që jetojnë prej vitesh atje do të mund ta marrin më shpejt pasaportën.
Deri më sot, për këtë duhej pritur 8 vjet, por tani do të mjaftojnë pesë. Madje, për raste e integrimit të shkëlqyer në shoqërinë gjermane, nënshtetësia do të mund të merret edhe për tre vjet.
Kjo vlen për ata që flasin shumë mirë gjuhën gjermane, arrijnë në punë rezultate të shkëlqyera apo angazhohen në punë vullnetare.
Në një projektligj të koalicionit gjerman, thuhet, se dhënia më e shpejtë e nënshtetësisë do të ishte “një stimul për t’u integruar më shpejt”, sipas ZDF. Edhe nënshtetësia e dyfishtë është gjithashtu e mundur.
“Shumë të ardhur në Gjermani, ndjehen gjermanë, por nuk duan ta ndërpresin plotësisht marrëdhënien me vendin e prejardhjes”, shpjegoi ministrja e brendshme Nancy Faeser.
Në të ardhmen ata nuk do të jenë të detyruar të dorëzojnë një pjesë të identitetit të tyre. Po ashtu fëmijët e lindur në Gjermani nga prindër të huaj do të marrin më lehtë nënshtetësinë gjermane. Kusht është që njëri nga prindërit të ketë jetuar të paktën pesë vite në Gjermani. Deri më tani ky kusht ishte tetë vite.
Rregullat për integrim më të shpejtë përmes nënshtetësisë nuk do të vlejnë për ata persona që kanë rënë në sy për veprime antisemitiste.