Shteti i Bavarisë në jug të Gjermanisë është përfshirë nga stuhia me reshje të dendura shiu, transmeton Anadolu.
Sipas deklaratës së bërë nga Departamenti i Policisë në Niederbayern, shumë rrugë dhe bodrume shtëpish janë përmbytur për shkak të shiut të dendur në rajonin Straubing.
Disa rrugë në rajon janë mbyllur për qarkullim si pasojë e rënies së pemëve për shkak të stuhisë.
Një zjarr ka rënë në katin e sipërm të një shtëpie të goditur nga rrufeja në qytetin Ratzing. Si pasojë e përhapjes së shpejtë të flakëve, shtëpia është bërë e papërdorshme. Pronari i shtëpisë ka mbetur i lënduar lehtë në përpjekje për të shuar zjarrin.
Sipas një raportimi nga “Bayerischer Rundfunk”, çatitë e 150 shtëpive kanë fluturuar në erë dhe shumë automjete janë dëmtuar nga stuhia dhe breshëri në qytetin Bad Bayersoien në rajonin Garmisch-Partenkirchen.
Në Kammer, një vinç ka rënë mbi një shtëpi si rezultat i stuhisë. Mësohet se nuk ka të lënduar, ndërsa çatia e objektit është dëmtuar rëndë.
Në qytetin Kissing në rajonin Aichach-Friedberg, çatia e një konvikti të të moshuarve po ashtu ka fluturuar në erë. Rreth 106 persona që jetonin brenda janë evakuuar.