Ministrja gjermane e Mbrojtjes Christine Lambrecht deklaroi se sulmet e fundit raketore ruse në Ukrainë tregojnë rëndësinë e dërgimit të shpejtë të sistemeve të mbrojtjes ajrore në Ukrainë.
“Sulmet e Rusisë me raketa dhe dronë terrorizojnë mbi të gjitha popullatën civile”, theksoi ministrja.
“Kjo është arsyeja pse ne po ofrojmë mbështetje të veçantë me armët e mbrojtjes ajrore. Në ditët në vijim, i pari nga katër sistemet moderne të mbrojtjes ajrore Iris-T SLM do të jetë gati për të ofruar mbrojtje efektive për popullin ukrainas. ”
”Një njësi e parë do të jetë në terren shumë shpejt”, tha një zëdhënës i ministrisë gjermane të mbrojtjes në Berlin.
Sipas Berlinit zyrtar tri njësi të tjera mund të dorëzoheshin vetëm “gjatë vitit të ardhshëm”. Arsyeja për është koordinimi i nevojshëm me industrinë e mbrojtjes dhe me vendet e tjera që kanë dërguar pajisje mbrojtëse në Ukrainë.
Lambrecht vizitoi Ukrainën në fillim të këtij muaji, kur premtoi dorëzimin e shpejtë të njësisë së parë. Sistemi i ri nuk është ende i disponueshëm as për forcat e armatosura gjermane. /atsh