Gjermania ka deklaruar se kushtet ende nuk janë të favorshme për njohjen e një Palestine të pavarur pasi më herët Irlanda, Spanja dhe Norvegjia njoftuan se do ta mbështesin një veprim të tillë, transmeton Anadolu.
“Një shtet i pavarur i Palestinës mbetet një objektiv fiks i politikës së jashtme gjermane. Bëhet fjalë për një proces politik me synimin e një zgjidhjeje me dy shtete, të cilën qeveria federale e konsideron urgjente”, tha zv/zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Kathrin Deschauer.
Në një konferencë për media në Berlin, Deschauer tha se zgjidhja e negociuar me dy shtete “është e nevojshme dhe më shumë se kurrë” pasi duhet të “gjendet një zgjidhje për këtë konflikt dramatik”.
Komentet e saj pasojnë njohjen zyrtare të Palestinës si shtet nga Norvegjia, Irlanda dhe Spanja, vendim që do të hyjë në fuqi më 28 maj.
Njohja e Palestinës vjen derisa Izraeli vazhdon sulmet e tij brutale në Rripin e Gazës që kanë vazhduar që nga 7 tetori i vitit të kaluar, pavarësisht një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm.
Palestina është njohur tashmë nga tetë vende evropiane, përkatësisht nga Bullgaria, Polonia, Republika Çeke, Rumania, Sllovakia, Hungaria, Suedia dhe administrata e Qipros Greke.
Të paktën 35.700 palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe rreth 80 mijë të tjerë janë plagosur që nga tetori i kaluar pas sulmit ndërkufitar të Hamasit.
Më shumë se shtatë muaj pas luftës izraelite, zona të gjera të Gazës janë kthyer në rrënoja mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila ka urdhëruar Tel Avivin të sigurojë që forcat e tij të mos kryejnë akte gjenocidi dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Rripin e Gazës.