Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit (SBASHK) Rrahman Jasharaj, njëherësh përfaqësues i Këshillit Grevistë ka thënë se Avokati i Popullit duhet të jetë i barabartë me të gjitha palët dhe mos ta vej në “spikam” të drejtën e fëmijëve për shkollim.
Jasharaj deklaroi se ata nuk ua mohojnë këtë të drejtë fëmijëve, por siç tha ai bazuar në Kushtetutën e Kosovës, janë duke e shfrytëzuar të drejtën për grevë të ligjshme.
“Uroj që Avokati ta shoh shkresën e SBASHK-ut, dhe ta analizoj mirë, e jo të ndalet te njëra palë. Uroj që Avokati në të ardhmen, pasi është Avokat i Popullit, mos ta vejë në ‘spikam’ të drejtën e fëmijëve për shkollim ne nuk ua mohojmë, se në Kushtetutë mohimi është ndryshe. Ne vetëm po e shfrytëzojmë të drejtën për Grevë të Ligjshme, sepse po të ishte ndryshe, qeveria do të reagonte. Avokati duhet të jetë i barabartë për qeverinë dhe për ne, sepse dhe ne jemi popull, dhe ai është dhe avokati ynë”, ka thënë Jasharaj.
Ai shtoi se nuk e din se ku është bazuar Avokati i Popullit në entuziazmin e tij me deklaratën se “qëndrimet janë përafruar dhe pritet një marrëveshje.
“Kur sot tha Avokati, nuk e di ku është i bazuar në entuziazmin e tij se ‘qëndrimet janë përafruar dhe pritet një marrëveshje’. Po shihet se arsimi është në grevë, dhe ne do ta respektojmë”, theksoi ai.
Tutje Jasharaj konsideron se qeveria po vazhdon ta ketë qasjen e gabuar për të thyer grevën.
“Qeveria po vazhdon ta ketë qasjen e gabuar për ta thyer grevën, ajo duhet ta ndryshoj qasjen. Jo me monolog, ose me stilin merr ose lërë, ose kështu kemi thënë ne dhe pikë, por që të angazhohen seriozisht dhe të tregojnë vullnet”, tha ai.
Nëse do të ketë sërish takime me Qeverinë e Kosovës, Jsharaj theksoi se do të insistojnë që këto takime të ndodhin në praninë e mediave.
“I drejtohem qeverisë se diskutimi nuk do të jetë si i kaluari, pasi kryeministri nga takimi jonë i fundit ka nxjerr fjali nga konteksti, duke ironizuar, bullizuar dhe në këtë mënyrë nuk arrihet. Ne do të insistojmë nëse ndodh ndonjë takim, qoftë edhe me angazhimin e Avokatit të Popullit, i cili dje doli me një deklaratë goxha entuziaste se do të arrihet marrëveshja. Ne nuk kemi asnjë sinjal, asnjë kërkesë për takime, ose në të ardhmen nëse ndodhin takimet ne do të insistojmë që ato të bëhen në prani të mediave. Dhe opinioni ta shoh se kush e ka seriozisht angazhimin për ta kthyer situatën në normale, e kush po ironizon. Jemi të angazhuar për një dialog me të drejta të barabarta, e jo për takime sa për të thënë. E jo për t’i kthyer fjalitë tona në ironike”, potencoi Jasharaj.
Mirëpo, sipas Jasharajt 98.5 për qind e institucioneve arsimore janë në grevë.
“Gjendja është stabile, edhe në bazë të raporteve që kemi marr cdo është në rregull. Nga raportet nga terreni, flasin që 98.5 për qind e institucioneve arsimore që nga çerdhet e universitetet janë në grevë dhe kjo tregon unitetin e pavarur, pavarësisht presioneve të bëra dhe angazhimeve të bëra që ta kthejnë unitetin e anëtarësisë për grevë të cilët e kanë dëshmuar që janë unik”, ka thënë ndër të tjera, Rrahman Jasharaj.