Një grup milicie e Irakut i mbështetur nga Irani mori përsipër sulmet me dronë dhe raketa sot ndaj “objektivave jetike” në Izrael, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, Rezistenca Islamike në Irak tha se shënjestroi një “lokacion jetik” në Izrael me dronë, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Ajo pretendoi gjithashtu sulme me raketa të modernizuara lundruese drejt objektivave në veri të Izraelit dhe një lokacion të tretë me dronë në Izraelin jugor.
Grupi tha se sulmet ishin “në solidaritet me popullin tonë në Palestinë, dhe një përgjigje ndaj masakrave të kryera nga okupimi kundër civilëve, duke përfshirë fëmijë, gra dhe të moshuar”.
Radioja e Ushtrisë së Izraelit konfirmoi se tre dronë të nisur nga Iraku janë interceptuar. Nuk raportohet për të lënduar apo dëme.
Sipas gazetës Yedioth Ahronoth, interceptimet kanë ndodhur në jug të Lartësive të Golanit të pushtuara nga Izraeli.
Tensionet rajonale janë përshkallëzuar në mes të ofensivës së Izraelit në Rripin e Gazës, e cila ka vrarë rreth 41.400 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, pas një sulmi ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor të vitit të kaluar.