Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres zhvilloi takime të veçanta me presidentin palestinez, Mahmud Abbas dhe kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, të cilët ndodhen në New York në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të 78-të të OKB-së, transmeton Anadolu.
Sipas lajmeve të agjencisë zyrtare palestineze WAFA, Abbas e ka informuar Guterresin për situatën e fundit në territoret e pushtuara palestineze dhe për “përshkallëzimin e tensioneve” nga Izraeli.
Duke kërkuar nga OKB-ja të marrë përgjegjësitë e veta ndaj popullit palestinez, Abbas kërkoi që palestinezëve t’u sigurohet mbrojtje ndërkombëtare, të zbatohen vendimet ndërkombëtare, që Izraeli të detyrohet të zbatojë marrëveshjet që ka nënshkruar dhe të ndërpriten hapat e njëanshëm.
Guterres shprehu shpresën e tij për “zgjidhjen e çështjes së Palestinës dhe që Palestina të marrë statusin e shtetit anëtar të plotë në OKB përpara përfundimit të mandatit të dytë të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së”.
Ai theksoi se po planifikon një vizitë në Palestinë në fund të tetorit.
Takimi Netanyahu-Guterres
Në deklaratën nga Zyra për media e Kryeministrisë izraelite thuhet se Netanyahu ka theksuar “rolin destabilizues të Iranit në Lindjen e Mesme” gjatë takimit të tij me Sekretarin e Përgjithshëm Guterres.
Netanyahu deklaroi se beson se iniciativat ndërkombëtare nën ndërmjetësimin e SHBA-së midis Izraelit dhe Arabisë Saudite do të rezultojnë në një marrëveshje normalizimi dhe se korridori i ri ekonomik i planifikuar të shtrihet nga India në Evropë përmes vendit të tij do të kontribuojë në ekonominë globale.
Më tej thuhet se Netanyahu i ka kërkuar Guterresit të heqë dorë nga “kritikat e pabaza të OKB-së kundër Izraelit”.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.