Grupi palestinez Hamas ka deklaruar se ka “treguar fleksibilitet” për të arritur një marrëveshje armëpushimi me Izraelin në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.
“Hamasi ka treguar fleksibilitet që i hap rrugën një marrëveshjeje. Topi tani është në fushën e Izraelit”, tha udhëheqësi i Hamasit, Osama Hamdan, në një konferencë për media në Bejrut.
Negociatat indirekte midis Izraelit dhe Hamasit rifilluan të hënën në kryeqytetin Doha të Katarit për të arritur një marrëveshje armëpushimi në Gaza.
“Hamasi prezantoi një vizion gjithëpërfshirës që përfshin parimet që ne i konsiderojmë të nevojshme për çdo marrëveshje që arrin prioritet e popullit tonë dhe rezistencën në ndalimin e agresionit, kthimin e të zhvendosurve në vendet e tyre, tërheqjen e forcave pushtuese nga Gaza dhe hyrjen e ndihmave”, tha Hamdan.
Hamasi, i cili besohet se mban peng afër 130 izraelitë, kërkon fundin e ofensivës së vazhdueshme të Izraelit në Rripin e Gazës në këmbim të çdo marrëveshje të pengjeve me Izraelin.
Një marrëveshje e mëparshme në nëntor të vitit 2023 çoi në lirimin e 81 izraelitëve dhe 24 të huajve në këmbim të 240 palestinezëve, përfshirë 71 gra dhe 169 fëmijë.
Izraeli ka zhvilluar një ofensivë vdekjeprurëse ushtarake në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i 7 tetorit nga grupi palestinez i rezistencës Hamas, në të cilin sipas Tel Avivit u vranë afër 1.200 izraelitë.
Pothuajse 32 mijë palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë që atëherë në Gaza dhe mbi 74 mijë të tjerë janë plagosur në mes të shkatërrimit të masë dhe mungesës së nevojave themelore.
Sipas OKB-së, lufta izraelite ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës mes një bllokade të shumicës së ushqimeve, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të sigurojë që forcat e tij të mos kryejnë akte gjenocidi dhe të garantojë që ndihma humanitare të ofrohet për civilët në Gaza.