Raportohet se trupi i liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh do të dërgohet në Katar pas ceremonisë mortore që do të mbahet në Teheran të Iranit, transmeton Anadolu.
Në deklaratën me shkrim të Hamasit jepet informacion për ceremoninë e varrimit dhe procedurat e lamtumirës për Haniyeh, i cili u vra në Teheran.
Në deklaratë thuhet se trupi i Haniyeh do të dërgohet në kryeqytetin e Katarit, Doha, pas ceremonisë së varrimit që do të mbahet nesër në Teheran dhe se namazi i xhenazes për Haniyeh do të falet në Doha më 2 gusht, pas namazit të xhumasë.
Haniyeh do të varroset në Doha pas ceremonisë mortore që do të mbahet me pjesëmarrjen e shumë zyrtarëve nga vendet arabe dhe muslimane.
– Vrasja e liderit të Hamasit, Haniyeh në Iran
Haniyeh ndodhej në Teheran për të marrë pjesë në ceremoninë e betimit të Presidentit të ri iranian, Massoud Pezeshkian.
Korpusi i Gardës Revolucionare iraniane në një deklaratë në mëngjesin e 31 korrikut njoftoi se një sulm u krye në rezidencën e Haniyeh në Teheran.
Ndërsa Irani dhe Lëvizja Hamas fajësuan Izraelin për vrasjen, zyrtarët izraelitë u përmbajtën të japin deklaratë për incidentin.
Haniyeh u zgjodh Kryetar i Byrosë Politike të Hamasit nga Këshilli Shura i Hamasit më 6 maj 2017, duke zëvendësuar Khalid Meshaal.