Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, mori pjesë në takimin joformal të Ministrave të Punëve të Jashtme të NATO-s, në Pragë të Republikës Çeke, transmeton Anadolu.
Në një njoftim nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, thuhet se ministri Hasani rikonfirmoi në këtë takim përkushtimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj NATO-s.
Më tej thuhet se kryediplomati Hasani ka theksuar domosdoshmërinë që NATO të mos largojë vëmendjen e saj nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, pasi kjo, sipas tij, kontribuon në paqen dhe stabilitetin e rajonit.
“Samiti i NATO-s në Washington duhet t’i japë Ballkanit Perëndimor vëmendjen që meriton, veçanërisht përballë sfidave të jashtme të sigurisë. Në takimin e sotëm jozyrtar të Ministrave të Jashtëm të NATO-s në Pragë, rikonfirmuam mbështetjen tonë të palëkundur për Ukrainën e lirë dhe sovrane dhe angazhimin tonë për të forcuar parandalimin dhe mbrojtjen tonë kolektive”, theksoi ministri Hasani pas takimit.
Hasani është shprehur se Shqipëria mbetet e vendosur për të luajtur rolin e saj si aleate e palëkundur e vlerave euroatlantike.
Sipas njoftimit, ministrat aleatë trajtuan progresin e vendimeve të marra në Samitin e Vilniusit, të cilat synojnë që NATO të vijojë të ruajë paqen, të parandalojë konfliktet dhe të mbrojë popullatën dhe vlerat e territorit aleat, prioritetet e Samitit të Washingtonit dhe veçanërisht vijimin e ndihmës për Ukrainën.