Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Frans Timmermans do të jetë kandidati kryesor për aleancën e re holandeze të Partisë së tij Laburiste dhe të të Gjelbërve në zgjedhjet e nëntorit.
Të dy partitë vendosën, në fillim të kësaj jave të kandidojnë si një listë e përbashkët, për herë të parë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Holandës.
Timmermans konsiderohet kandidati i preferuar i të dyja palëve.
Vendimi përfundimtar për kandidatin e përbashkët kryesor do të merret në gusht.
Pas kësaj, Timmermans ka planifikuar të largohet nga komisioni.
Gjatë gati 10 viteve të tij në Bruksel, Timmermans ishte përgjegjës për Marrëveshjen e Gjelbër, politikën kryesore të BE-së për të zbutur ndryshimet klimatike.
Ai ishte ministër i Jashtëm holandez përpara se të shkonte në Bruksel, në vitin 2014.
Koalicioni i mëparshëm holandez i qendrës së djathtë u shemb papritur në fillim të korrikut për shkak të politikës së azilit.
Më pas, kryeministri Mark Rutte deklaroi se nuk do të kandidonte më dhe po largohej nga politika.