RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

I akuzuari për sulmin ndaj KFOR-it dhe Policisë dënohet me dy vite burgim me kusht dhe 9 mijë e 500 euro gjobë

i-akuzuari-per-sulmin-ndaj-kfor-it-dhe-policise-denohet-me-dy-vite-burgim-me-kusht-dhe-9-mije-e-500-euro-gjobe

Pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie mes Prokurorisë Speciale dhe të akuzuarit Sllobodan Miletiq, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me dy vite burgim me kusht dhe me 9 mijë e 500 euro gjobë të akuzuarin Miletiq për sulmin gjatë protestave të majit 2023 ndaj KOFR-it dhe Policisë së Kosovës.

Shpallja e aktgjykimit u bë të hënën nga gjykatësi i rastit, Vesel Ismaili.

Për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”, Miletiq u dënua me dy vite burgim, të cilin nuk do ta vuajë me kusht që brenda periudhës 4-vjeçare të mos kryejë vepër penale. Ndërkaq, për “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”, u dënua me 6 muaj burgim, i cili dënim iu zëvendësua me 9 mijë e 500 euro gjobë.

Dënimin me gjobë, i akuzuari është i detyruar ta paguajë në afatin prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Paraprakisht, i akuzuari Miletiq kishte arritur marrëveshje për pranim të fajësisë me Prokurorinë Speciale dhe u bë leximi i aktakuzës nga prokurori special, Bekim Kodraliu.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës të ngritur më 9 shtator 2024, i akuzuari Sllobodan Miletiq akuzohej se më 29 maj 2023 prej orës 06:00 e deri në orët e mbrëmjes, në perimetrin ku gjendet Komuna e Zveçanit në koordinim me të pandehur të tjerë, ka marrë pjesë në mënyrë aktive në grupin e personave që kryejnë vepra penale serioze.

Gjithnjë sipas aktakuzës, përmes dhunës ka sulmuar dhe kanosur seriozisht pjesëtarët e KFOR-it, duke përdorur mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara dhe me armë zjarri, nga të cilat janë lënduar të paktën 30 pjesëtarë të KFOR-it, tre prej tyre nga predhat e armëve të zjarrit si dhe disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës, që ishin në detyrë zyrtare për të garantuar rendin dhe qetësinë publike.

Prandaj, për këto veprime Miletiq ngarkohej për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar” nga neni 402, paragrafi 4, lidhur me paragrafin 2, dhe nenin 31 të Kodit Penal.

Ndërkaq në pikën e dytë të aktakuzës, Miletiq thuhet se në të njëjtën orë dhe datë si në pikën e parë të akuzës, sërish në koordinim me të pandehur të tjerë, përmes përdorimit të dhunës kanë tentuar të pengojnë vendosjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës në komunat veriore.

Aktakuza thotë se përkundër urdhrit për shpërndarje të qetë të turmës dhe refuzimit për të hyrë në objektin e komunës, bashkë me të pandehurit tjerë kishin filluar të ushtrojnë dhunë të pakontrolluar, përmes mjeteve të forta, mjeteve shpërthyese të improvizuara e me armë zjarri, ku kishin lënduar së paku 30 pjesëtarë të KFOR-it, tre nga ta nga predhat e armës së zjarrit dhe kishin shkaktuar dëme materiale në automjetet e KFOR-it, Policisë së Kosovës, si dhe në veturat e gazetarëve që po mbulonin ngjarjet e asaj dite. Ishte bërë djegia e plotë e disa veturave dhe u shkaktua dëmtim fizik në masë të madhe tek disa persona, duke shkaktuar rrezik për jetën dhe trupin e shumë njerëzve.

Për këto veprime, Miletiq ngarkohej edhe për veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi” nga neni 404, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Related posts

BE: Ukraina do të përfshihet në zonën roaming pa pagesë të bllokut

admin

Pritet rritja e gjobave të trafikut, veçanërisht për rripin e sigurisë

rezart morina

Digjet vetura e Policisë në Zveçan

rezart morina