Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, ka kryer hapjen e tempullit “Ram Janmabhoomi Mandir”, i cili u ndërtuar në vendin e xhamisë Babri që u shemb nga nacionalistët hindu në vitin 1992 në qytetin Ayodhya, transmeton Anadolu.
Përkrah kryeministrit Modi të veshur me veshjet e tij tradicionale, në ceremoninë e mbajtur në qytetin Auodha morën pjesë rreth 7 mijë persona, përfshirë politikanë dhe yje të filmit.
Në rajonin Uttar Pradesh, në qyteti Ayodhya, u shpall “pushim zyrtar” për shkak të hapjes së tempullit.
Po ashtu edhe në kryeqytetin e vendit, New Delhi, shkollat publike ishin në pushim, ndërsa nëpunësve civilë iu dha leje gjysmë ditore.
– Çështja e xhamisë Babri
Mosmarrëveshja mes muslimanëve dhe hinduve ka zgjatur për një kohë të gjatë për shkak të planeve për të ndërtuar një tempull hindu në tokën e xhamisë Babri, e cila u shkatërrua nga ekstremistët hindu 32 vjet më parë.
Pas vitesh procesesh gjyqësore, Gjykata e Lartë e Indisë më 9 nëntor të vitit 2019 përfundoi çështjen në lidhje me tokën e xhamisë Babri midis muslimanëve dhe hinduve dhe vendosi në favor të hinduve.
Në datën në fjalë, Gjykata e Lartë e Indisë vendosi që toka të ndahet për një tempull hindu. Në vendim thuhej se toka do t’i jepej bordit të besuar për ndërtimin e tempullit dhe dy hektarë tokë do t’u ndaheshin muslimanëve në Ayodhya.
– Hindut shkatërruan xhaminë historike Babri në dhjetor të vitit 1992
Zona ku ndodhet xhamia Babri në qytetin historik Ayodhya në shtetin Uttar Pradesh, prej shumë vitesh ka qenë një çështje debati midis hinduve dhe muslimanëve.
Ekstremistët hindu pretendojnë se muslimanët shkatërruan tempullin e ndërtuar në emër të mbretit hindu Rama në shekullin e 16-të dhe ndërtuan një xhami në vend të tij.
Ekstremistët hindu në dhjetor të vitit 1992 shkatërruan xhaminë Babri, të ndërtuar gjatë Perandorisë Mogule (Mughal).
Prishja e xhamisë shkaktoi kryengritje në të gjithë vendin, që rezultoi në vdekjen e rreth 2 mijë njerëzve.
Muslimanët në Indi donin të ndërtohej një xhami në zonën në fjalë, ndërsa hindut donin të ndërtohej një tempull duke pretenduar se këtu kishte lindur mbreti Rama, të cilin ata e konsideronin perëndi.
#WATCH | Ayodhya Ram Temple illuminated beautifully after the ‘Pran Pratishtha’ ceremony pic.twitter.com/UrMFdEQUgQ
— ANI (@ANI) January 22, 2024