RTV AHIRETI
FeaturedLajmeLajmetShqipëri

Indianët, turqit e palestinezët të interesuar për të punuar në Shqipëri

indianet,-turqit-e-palestinezet-te-interesuar-per-te-punuar-ne-shqiperi

Ahmet është nga Palestina. Prej dy vitesh është zhvendosur në Tiranë, ku po investon në fushën e bareve dhe restoranteve.

“Miqtë më treguan për Shqipërinë dhe nëse doja të investoja këtu. Erdha, më pëlqeu dhe e hapa lokalin. Unë kam gjashtë vite që kur kam ardhur për herë të parë në Shqipëri dhe e shoh që ka ndryshuar shumë, ka goxha zhvillime”, tha Ahmet Fares.

Nuk është penduar për zgjedhjen e bërë. Dëshira për të qëndruar në Shqipëri është e madhe. Por Ahmet, po haset me një problem, që në fakt po vijon të kthehet në shqetësim.

“Nuk e di pse të rinjtë duan të largohen, kjo më zhgënjen, i dëgjoj të thonë që Shqipëria nuk është shumë mirë. E kuptoj që krahasuar me vende të tjera, ndoshta janë më mirë, por nuk duhet parë në këtë mënyrë. Unë kam punëtorë sezonalë, mund të them që i paguaj mirë, por nëse shohin sikur një mundësi për t’u larguar nga Shqipëria, ikin direkt. Kështu më ka ndodhur me punonjësit këtu”, u shpreh ai.

Popullsia e Shqipërisë më 1 janar 2022 rezulton 2.79 milionë banorë, duke pësuar rënie prej 1,3 % krahasuar me një vit më parë. Sipas Agjencisë së BE-së për Azilin dhe sipas Zyrës Evropiane të Azilantëve, në raport me popullsinë, Shqipëria është e para për azilkërkuesit në BE, me 59 aplikime për çdo 10 mijë banorë.

Ekspertët thonë se nëse vijojmë me këto ritme, rrezikojmë të mbetemi pa burime njerëzore.

“Në Shqipëri, mungon informacioni që t’i orientojë të rinjtë se çfarë hapash duhen ndjekur, sesi mund të krijojnë një ide, për të siguruar në mënyrë të pavarur të ardhurat e tyre. Në Shqipëri, diferencat mes hapjes së një biznesi të ri mes taksave që shoqërojnë ato janë më të ulëta përfshirë dhe krahun e punës, sesa nga vendet e tjera”, theksoi eksperti i ekonomisë Erion Muça.

Në Shqipëri, çdo vit ka një rritje të të huajve. Deri më tani janë më shumë se 15 mijë që jetojnë në Shqipëri me leje qëndrimi, ndërsa pothuajse gjysma e tyre janë për arsye pune. Sipas INSTAT, në fund të vitit 2021, numri i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri rezultoi 14.921 banorë, duke pësuar rritje me 9,6%, krahasuar me 2020.

Nishat Taneja, ka 15 vite në Shqipëri. Është treguar goxha i zgjuar, duhet thënë, pasi ka arritur të kuptojë nevojën për mjek, që në atë kohë.

“Unë kam ardhur në vitin 2009, kam gati 15 vite këtu. Shqipërisë i duhen doktorë si unë, jam i specializuar mirë. Kur e nisa unë nuk kishte asnjë të huaj këtu dhe madje të kishte mjek për dëmtimet e syrit. Familja ime është këtu, fëmijët e mi kanë lindur këtu, nuk e mendoj të rikthehem në Indi”, nënvizoi mjeku indian.

Njihemi si një vend mikpritës. E në fakt kështu ka ndodhur me një tjetër shtetase.

“Kam ardhur këtu prej dy vitesh dhe po përpiqem të punoj, kam ardhur bashkë me familjen time. E ndjej veten si në vendin tim këtu”, deklaroi mjekja turke, Gonul Kiraci.

Bashkëshorti i Gonul, është me origjinë të largët shqiptare. Dëshira për t’u rikthyer në rrënjët shqiptare ka qenë gjithmonë. Por diçka e pengonte.

“Kisha dëgjuar dhe për pjesën e pasigurisë dhe kur kam ardhur këtu,gjëja që kam vënë re është mungesa e kamerave të sigurisë dhe e ndjeva veten jo të sigurt”, tha ajo.

Mjekja turke, tregon se shqiptarët e kanë bërë të ndihet si në shtëpinë e saj, madje dhe kur ajo nuk i kupton se çfarë thotë.

“Shqipja është një gjuhë e vështirë. Por sa herë janë në vështirësi, flas turqisht dhe më kuptojnë shumë kollaj shqiptarët dhe jam shumë e lumtur”, u shpreh mjekja.

Për të huajt, Shqipëria është një vend i bukur, parasjë, siç e konsiderojnë Ahmet dhe Gonul.

E pikërisht këtë parasjë, e ka gjetur dhe Matia Lena. Një 22-vjecar, i cili ka ngritur biznesin e tij të qëndisjes.

“Pasioni për qëndisjen ka lindur të themi nga hiçi. Kam bërë kursin e grafik dizajnerit. Çdo gjë ishte art më vete më qëndisje. Më pëlqeu të fokusohesha më shumë tek qëndisja. Ka qenë një kolege që është në moshë të tretë tani dhe më shtyu që të merrja makinerinë e qëndisjes dhe më thoshte bëje kështu bëje ashtu deri në orët e vona të natës”, pohoi ai.

I pyetur nëse dëshiron të largohet nga Shqipëria, është i prerë në përgjigjen e tij.

“Gjëja e fundit që do doja të bëja është të largohesha nga vendi, sepse jam duke ngritur diçka timen, nuk kam arsye pse”, shpjegoi ai.

Rinia është “mushkëria” e vendit, ndaj për t’i mbajtur të gjithë të rinjtë në Shqipëri, duhet të gjithë të angazhohemi, për ta bërë më të lehtë integrimin e tyre në sferën e jetës sociale, ekonomike dhe politike të vendit.

Sa i përket të investitorëve të huaj, numri i tyre pritet të shtohet, kjo pasi për ta, vendi ynë të ofron më shumë lehtësia për të ngritur një biznes. /EuroNews/

Related posts

Macron thotë se Franca është e përkushtuar për mbrojtjen e Izraelit

RTI

Familjet e skemës sociale në Kosovë jetojnë me 1 euro në ditë, kriza ekonomike ka “zhdukur” shtresën e mesme të popullësisë

admin

Zelensky akuzon liderët arabë se i mbyllën sytë ndaj pushtimit rus

admin