RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmetShëndetësi

Infermierët më të interesuarit për t’u larguar nga Kosova në Gjermani

infermieret-me-te-interesuarit-per-t’u-larguar-nga-kosova-ne-gjermani

Një kompani gjermane e cila tash e tre vjet po u ofron kontrata pune të rinjve nga Kosova, të dielën në kryeqytet ka prezantuar punën e saj. Ata kanë thënë se më së shumti interesim kanë nga infermierët që duan të largohen nga Kosova. Por kanë treguar se 80 për qind e atyre që kanë kërkuar punësim janë të papunë dhe nuk kanë pasur asnjëherë mundësi punësimi.

Indira Krasniqi, me 8 vjet përvojë pune si infermiere në Ferizaj synon të largohet drejt Gjermanisë për ta vazhduar profesionin e saj.

E këtë po e sheh si zgjidhje edhe Afrim Abazi, i cili është në përfundim të studimeve në Fakultetin e Fizioterapisë në Universitetin e Prishtinës.

Krasniqi e Abazi thonë se kushtet e jetesës dhe ato ekonomike që ofrohen për këtë profesion në Gjermani janë më të mira se në Kosovë.

“Me e lanë vendin tanë edhe me u shkollu është pak e rëndë, por prapë se prapë këto janë mundësitë që po na i ofron Kosova edhe unë për vete nuk e kam gjetur veten këtu, nuk po mundem me e gjetë se nuk është pak me i humbë 8 vite të rinisë edhe me mbetë askund, pa asnjë vend të punës”, ka thënë Krasniqi.

“Një herë për një herë për ekstra punë, për infermierët në Kosovë siç po shihet nuk ka, andaj edhe punësimi më i sigurt për me pasë një jetë më të mirë dhe një jetë më standarde, me kushte më të mira të jetës, na ka detyru që me shiku një vend pak ma larg prej Kosovës, konkretisht Gjermania që ofron kuadër të madh të punësimit për infermier”, ka thënë Abazi.

Mbështetjen e të rinjve që të punësohen në Gjermani po e bën një kompani e cila ka prezantuar mundësitë që ata ofrojnë .

Përfaqësues të saj thonë se ka interesim të madh në fushën e shëndetësisë, sepse edhe kërkesa në Gjermani është më e madhe.

“Interesimi është shumë i madh nga infermierët të cilët ne veçse i kemi në listë, ata janë të ndryshëm, por kryesisht 80% prej tyre janë të papunë dhe që nuk kanë pasur asnjëherë mundësi për me u punësu në profilin e infermierit”, ka thënë Albulena Shala-Çela, udhëheqëse e Kompanisë “Comsense”.

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, tha se perspektiva jashtë vendit është duke i tërhequr të rinjtë për punësim.

Sipas tij, nëse vazhdohet kështu, vendi pas 4 vjetëve do të përballet me mungesë të stafit mjekësor.

“Tash e sa vite që jemi duke monitoruar me të vërtetë është pasqyrim i gjendjes në përgjithësi në shëndetësi dhe normal një faktor shumë i rëndësishëm që është shprehur papunësia në shëndetësi, por edhe si faktor kushtet e rënda apo kushtet shumë të varfëra të punës, rrogat e vogla deri më tani dhe çka më së shumti që është duke i tërhequr të rinjtë, mjekët e rijnë jashtë është perspektiva”, ka thënë Pleurat Sejdiu, kryetar i OMK-së.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, numri i emigrantëve kosovarë në vitin 2021 ka qenë mbi 42 mijë.

Pjesa më e madhe e emigrantëve, sipas ASK-së, ishin legalë dhe arsyet e emigrimit të tyre ishin bashkimi familjar dhe gjetja e një vendi të punës.

Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka akuzuar ekzekutivin për ikjen e të rinjve. Ai ditë më parë ka thënë se në bashkëbisedim me diplomatë të huaj, ka kuptuar se vetëm gjatë vitit 2022, mbi 49 mijë kosovarë janë pajisur me viza pune dhe kanë lëshuar Kosovën për të ikur jashtë vendit.

Related posts

Biden duket se pranon numrin e vdekjeve Palestineze në Gaza

admin

Suedia iu bashkua aleancës ushtarake perëndimore të NATO-s në mars, kryeministri suedez i hapur për pranimin e armëve bërthamore

admin

Armë automatike, fishekë, granata dore dhe eksploziv – Policia gjen armatim në Zveçan

admin