Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, në një konferencë për media sot ka folur lidhur me kërkesën për ndryshimin e Udhëzimit Administrativ që ndalon bartjen e shamisë në shkolla, duke thënë se e gjithë fushata e ngritur kohën e fundit është e paqëndrueshme.
Teksa përmendi karakterin e shtetit dhe institucioneve të Kosovës, tha se nuk ka ndonjë udhëzim administrativ për lejimin ose jo të shamisë në shkollë.
“Nuk ka ndonjë udhëzim administrativ për shaminë, nuk ka pasur asnjëherë aq sa unë di. Gjithë kjo fushatë që e shihni kohën e fundit nuk është e bazuar dhe e qëndrueshme. Është e përcaktuar qartë karakteri i shtetit tonë dhe institucioneve publike”, u shpreh Nagavci para mediave.
“Udhëzimit administrativ të cilit iu kanë referuar ka të bëjë me mbarëvajtjen e punës në shkollat e mesme të larta. Është e vërtetë që ky udhëzim ka disa çështje ligjore sepse preambula të cilës i referohet nuk ka të bëjë specifikisht me kompetencat e MASHTI-t, por rekomandimet janë dhënë që ai udhëzim të mbetet në fuqi. Udhëzimi do mbetet në fuqi dhe do shohim si e rregullojmë tutje në aspektin formal ligjor”.
Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar Durim Berisha, iniciues i peticionit online që kërkonte ndryshimin e udhëzimit në fjalë dhe lejimin e bartjes së shamisë në shkolla.
Përmes një postimi në Facebook, Berisha ka deklaruar se do të ndjekin hapat ligjorë, ndërsa ka bërë thirrje që çështja të mos riaktualizohet pasi “i shkon për shtati Qeverisë që përmes një diskutimi potencial të kalojnë në heshtje disa çështje tjera”.
“Ju lus të na lejoni tani e tutje që pa zhurmë të ndjekim hapat ligjor. Ju garantojmë që përpos rrugëve ligjore, jemi në koordinim dhe bashkëpunim me deputetët e Kuvendit nga grupet e ndryshme parlamentare dhe etni të ndryshme, të cilët konform kompetencave të tyre do të kërkojnë përgjegjësi nga Ministria për mosevitimin e një kundërligjshmërie”, ka shkruar ai.
“Procedurat ligjore kanë afate. Vazhdoni jetën, e këtë punë me emër të Zotit do ta çojmë në vend. Kemi energjinë dhe profesionalizmin që e kërkon ky proces. Mos bini pre e dezinformatave që kanë qëllim nxitjen e reagimit të komunitetit mysliman e përçarjen”.