Kryeministri i Irakut, Mohammed Shia al-Sudani, ka bërë të ditur se vendi i tij ka kundërshtuar përdorimin e territorit të tij për të nisur kërcënime kundër Iranit, transmeton Anadolu.
“Ne refuzojmë përdorimin e territorit tonë për çdo kërcënim ndërkufitar kundër Republikës Islamike të Iranit”, tha al-Sudani në një konferencë të përbashkët për media në Bagdad me presidentin iranian, Masoud Pezeshkian.
Tensioni rajonal është përshkallëzuar që nga vrasja e shefit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh, në Iran pasi ai mori pjesë në ceremoninë e betimit të presidentit Pezeshkian në muajin korrik.
Derisa Irani dhe Hamasi akuzuan Izraelin për kryerjen e vrasjes së Haniyeh, Tel Avivi nuk e ka mohuar apo konfirmuar përgjegjësinë.
Sot, Pezeshkian mbërriti në Irak për një vizitë 4-ditore, duke shënuar udhëtimin e tij të parë jashtë vendit që kur mori detyrën.
Të dy palët nënshkruan 14 marrëveshje bashkëpunimi gjatë vizitës së presidentit iranian.
Gjatë konferencës për media, Pezeshkian theksoi rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit për sigurinë ndërmjet dy kombeve për të luftuar terrorizmin, duke u fokusuar veçanërisht në luftën kundër grupit terrorist DEASH dhe përpjekjet për të frenuar kontrabandën ndërkufitare.
“Nëse qëndrojmë së bashku, mund të bëjmë hapa të rëndësishme. Ky udhëtim është një mundësi e shkëlqyer për të ndarë perspektivat tona dhe për të ndërmarrë hapat e ardhshme në kuadër të marrëveshjeve dhe mirëkuptimeve të nënshkruara”, tha ai.