Ish-sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës, Nebih Shatri dhe ish-drejtori i Departamentit të automjeteve, Kadri Krasniqi, janë liruar nga akuzat për korrupsion nga Gjykata Themelore në Prishtinë të mërkurën. Nga akuzat për “ushtrim ndikimi” është liruar edhe ish-këshilltari politik i Ministrisë, Pjetër Ndou.
Shatri qe akuzuar për dallavere me patentë shoferë pasi pretendohej se ka lidhur kontrata me dhjetëra ekzaminues të angazhuar në Ministri dhe nuk kishte zhvilluar procedurë rekrutimi për ta. Madje, Prokuroria pati thënë se Shatri kishte ndryshuar edhe emrat e ekzaminuesve që i kishte propozuar drejtori i Departamentit për patentë shoferë gjatë periudhës 2016 – 2018.
Kadri Krasniqi u akuzua se ka lejuar hapjen e konkursit për provimin për licencimin e ekzaminuesve pa planifikim paraprak, por në dijeninë e ish-sekretarit Shatri.
Ndou akuzohej se ka ndikuar te ministri i atëhershëm Pal Lekaj dhe zyrtarët e Ministrisë që persona të caktuar të kalojnë provimin teorik për patentë shoferë.