Ish-shefi i agjencisë ruse të hapësirës ‘Roscosmos’, Dmitry Rogozin, ka shprehur dyshime mbi vërtetësinë e uljes së vitit 1969 të fluturimit hapësinor ‘Apollo 11’ në Hënë, transmeton Anadolu.
“Rreth 10 vjet më parë, kur punoja në qeveri, i dërgova një kërkesë zyrtare ‘Roscosmos’-it për të më dhënë prova dokumentare të qëndrimit të amerikanëve në Hënë”, tha Rogozin në një llogarinë e tij në Telegram.
Rogozin tha se ai ishte në “siklet” për kthimin e kozmonautëve sovjetik nga ekspeditat hapësinore që mezi mund të qëndronin në këmbë dhe po i nënshtroheshin rikuperimeve të gjata, ndërsa astronautët amerikanë u zvarritën nga anijet e tyre hënore, siç tha ai, “si kastravecat nga kopshti”.
Rogozin tha më tej se ai vazhdoi të kërkonte prova mbi zbarkimet e SHBA-së në Hënë ndërsa punonte në Roscosmos, por tha se nuk mund të gjente asgjë tjetër përveç “akuzave të zemëruara” të disa akademikëve që pretenduan se ai minoi “bashkëpunimin e shenjtë të Rusisë me NASA-n”.
Rogozin gjithashtu tha se ai mori një telefonatë nga një zyrtar i lartë duke e akuzuar atë për “rëndimin e situatës ndërkombëtare” me dyshimet e tij për uljen e ‘Apollo 11’.
“Unë nuk dëmtova ose përkeqësova asgjë, por vetëm për shkak të natyrës sime u përpoqa të arrij deri në fund të detajeve dhe të vendos, të paktën për veten time, gjendjen e vërtetë të punëve në çështjen e eksplorimit të Hënës nga konkurrentët tanë. Nuk ishte e qartë për mua se si SHBA-ja, në atë nivel të zhvillimit teknologjik të viteve të 60’-ta në shekullin e kaluar, bënë atë që ende nuk mund ta bëjnë tani”, tha Rogozin.
Më 20 korrik të vitit 1969, anija kozmike ‘Apollo 11’ u ul në Hënë me astronautët Neil Armstrong, Buzz Aldrin dhe Michael Collins në bord.
Të tre u bënë figura ikonike në mbarë botën, me Armstrong duke u bërë njeriu i parë që shkeli në sipërfaqen e Hënës.