Kisha Katolike Italiane ka mbledhur 613 dosje të rasteve të abuzimit gjatë dy dekadave të fundit, njoftoi të enjten sekretari i përgjithshëm i Konferencës së Peshkopëve Italianë (CEI), Giuseppe Baturi në Romë.
“Çështjet janë transferuar në Dikasterin e Vatikanit për Doktrinën e Besimit”, tha Baturi.
“Këto janë raportime të viktimave apo dosje të autorëve të dyshuar me viktima të shumta, prandaj 613 nuk pasqyrojnë numrin e personave të dhunuar. Gjithashtu, përfshihen edhe rastet që tashmë janë arkivuar”, tha Baturi.
Deklaratat e Baturi erdhëm gjatë një konference për shtyp në të cilën CEI prezantoi një raport për mbrojtjen e të miturve në kishë.
Studimi, i cili përfshin vitet 2020 dhe 2021, tregon 89 viktima të supozuara, që raportojnë raste të tilla si ngacmime seksuale, marrëdhënie seksuale ose sjellje të papërshtatshme brenda kishës.
“Shumica e viktimave ishin nga 10 deri në 18 vjeç në kohën e krimit. Rastet janë aktuale ose datojnë në të kaluarën. Përveç kësaj, janë raportuar 68 autorë të dyshuar”, sipas raportit.
“Më pak se gjysma e tyre ishin klerikë (30), pjesa tjetër laikë (23) dhe famullitarë (15)”, tha ai.
CEI, së bashku me ekspertë, e kryen anketën në 226 kisha të saj, ku 166, ose rreth 73% pranuan të përgjigjeshin. /atsh