Italia ka kërkuar nga Izraeli të përcaktojë faktet dhe autorët pas vrasjes së palestinezëve të kequshqyer që prisnin dërgimin e ndihmave në Rripin e Gazës të rrethuar, transmeton Anadolu.
“Mësova me shqetësim të thellë lajmin dramatik të asaj që ndodhi sot në Gaza”, shkroi kryeministrja italiane Giorgia Meloni në platformën sociale X.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë me bazë në Rripin e Gazës, të paktën 112 palestinezë u vranë dhe 760 të tjerë u plagosën mëngjesin e sotëm kur forcat izraelite hapën zjarr ndaj palestinezëve që prisnin për ndihmën humanitare në qytetin Gaza.
“Urgjente është që Izraeli të konstatojë dinamikën e fakteve dhe përgjegjësitë që lidhen me të”, theksoi Meloni.
Ajo theksoi se numri në rritje i viktimave civile dhe kriza humanitare në Gaza “kërkojnë që ne të intensifikojmë menjëherë përpjekjet në negociatat në vazhdim për të krijuar kushtet për një armëpushim dhe lirimin e pengjeve”.
Izraeli ka nisur një ofensivë vdekjeprurëse ushtarake në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i 7 tetorit nga Hamasi kur, sipas Tel Avivit, u vranë më pak se 1.200 njerëz.
Që atëherë, sulmet izraelite në Rripin e Gazës kanë vrarë të paktën 30.035 palestinezë dhe kanë plagosur rreth 70.500 të tjerë në mes të shkatërrimit në masë dhe mungesës së nevojave themelore.
Sipas OKB-së, lufta izraelite ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.