- Itikaf nga aspekti gjuhësor nënkupton të jepesh shumë pas diçkaje, të jesh i pandarë, i pashkëputur nga diçka dhe të jesh i vazhdueshëm në të.
Kurse itikaf nga aspekti terminologjik fetar nënkupton të qëndrosh dhe të vetmohesh në xhami me nijet adhurimi dhe afrimi për tek Allahu. Ai i cili qëndron në xhami dhe vetmohet në të për adhurim, i thuhet ‘akif ’[1] dhe ‘muatekif’[2].
- Realiteti i itikafit dhe synimi i tij është që zemra të këmbëngulë drejt Allahut dhe të vetmohet me Atë. Ai që dëshiron të qëndrojë në itikaf duhet t’i ndërpresë lidhjet dhe angazhimet me krijesat, të angazhohet me adhurimin e Allahut dhe me përmirësimin e lidhjes me Të, derisa të mbisundojë në zemrën e tij përmendja, dashuria, lutja dhe nisja drejt Tij, shoqërimi i tij të jetë me Allahun dhe mendja e tij të mos mendojë në diçka tjetër, përveçse në arritjen e kënaqësisë së Tij dhe veprave që e afrojnë deri tek Ai.
Gjatë qëndrimit në itikaf, njeriu e izolon veten dhe e mbyll për ta adhuruar Allahun dhe për ta përmendur Atë, largohet nga çdo gjë që e preokupon përveç Allahut, me zemrën e tij këmbëngul drejt Allahut dhe çdo gjëje që e afron për tek Allahu. Brenga e vetme e tij është Allahu dhe ajo që e kënaq Atë.
Sa më shumë që shtohet njohja e Allahut, dashuria ndaj Tij dhe shoqërimi me Të, aq më shumë robi dëshiron që të largohet nga çdo gjë dhe të vetmohet vetëm me Allahun.[3]
- Itikafi është i ligjshëm me Kuran e me Sunet dhe me ixhma (konsensus të dijetarëve).
Allahu thotë: “Ne i urdhëruam Ibrahimin dhe Ismailin: ‘Pastrojeni Shtëpinë Time (Qabenë) për ata që e vizitojnë, që rrinë aty për adhurim dhe që falen duke u përkulur dhe përulur’.” (El-Bekare: 125)
Dhe thotë: “Mos iu afroni atyre (bashkëshorteve) gjatë kohës kur mbylleni për adhurim në xhami!” (El-Bekare: 187)
Aisha i përcjell se i Dërguari i Allahut ﷺ qëndronte në itikaf në dhjetëshin e fundit të Ramazanit derisa Allahu ia mori shpirtin dhe, pas vdekjes së tij, qëndronin në itikaf gratë e tij.[4]
Një herë Pejgamberi ﷺ nuk qëndroi në itikaf në dhjetëshin e fundit të Ramazanit dhe më pas atë e kompensoi me dhjetë ditë në Sheval.[5]
Dijetarët janë të një mendimi se itikafi është i ligjshëm dhe pëlqehet të veprohet.
- Qëndrimi nëpër xhamia për itikaf është nga shenjat e imanit si dhe nga mirëmbajtja e xhamisë, me këto cilësi Allahu i përshkroi robërit e Tij dhe thotë: “Faltoret e Allahut i vizitojnë dhe i mirëmbajnë vetëm ata që e besojnë Allahun dhe Ditën e Fundit…” (Et-Teube: 18). Allahu në këtë ajet e vërtetoi dhe dëshmoi për imanin e mirëmbajtësve të xhamisë. Mirëmbajtja e xhamisë bëhet materialisht (duke e ndërtuar, riparuar, mirëmbajtur dhe pastruar atë) dhe moralisht, e cila është më e ndershmja, duke bërë ibadet në të, me namaz, itikaf, lexim të Kuranit, përmendje të Allahut, kërkim të dijes dhe mësimdhënie të dijes së dobishme.
- Itikafi është vepër e mirë që të afron tek Allahu dhe bën pjesë në afrimin e përgjithshëm tek Allahu me adhurime vullnetare, mirëpo, për sa i përket shpërblimit të tij, nuk ka argument që e vërteton saktësisht shpërblimin e itikafit. Hadithet e transmetuara ku në to ceket shpërblimi i itikafit, janë të dobëta ose të shpikura si, hadithi: “Kush bën itikaf me bindje dhe me llogari në shpërblimin e Allahut, i falen gjynahet e mëhershme”[6], dhe hadithi: “Kush bën itikaf dhjetë ditë në Ramazan është e barabartë me kryerjen e dy haxheve dhe umreve.”[7]
Ebu Davudi, Allahu e mëshiroftë, e kishte pyetur imam Ahmed ibn Hanbeli, Allahu e mëshiroftë, nëse dinte ndonjë argument të saktë për vlefshmërinë e itikafit. Imami ishte përgjigjur: “Jo, nuk di diçka të saktë, përveç disa haditheve të dobëta.”[8]
- Me pajtim të të gjithë dijetarëve, itikafi, në esencë, është sunet e jo obligim, dhe nuk detyrohet përveçse me zotim. Omeri h e pyeti Pejgamberin ﷺ dhe i tha: “Në kohën para Islamit isha zotuar që do të qëndroj në itikaf për një natë në Mesxhidil Haram (Xhaminë e Shenjtë – Qabe)! Pejgamberi ﷺ i tha: ‘Realizoje zotimin tënd’.”[9]
- Itikafi nuk ndërlidhet me një kohë të veçantë, ai ligjërohet në të gjitha kohët, në Ramazan dhe jashtë Ramazanit, megjithëse në Ramazan është më i vlefshëm se jashtë tij.
Itikafi më i pëlqyer dhe më i vërtetuar është ai i dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit, sepse Pejgamberi ﷺ qëndronte në itikaf në dhjetëshin e fundit dhe e kërkonte natën e Kadrit. Për atë që nuk ka mundësi të qëndrojë të gjitha dhjetë netët e fundit, mund të qëndrojë sa të ketë mundësi, qoftë edhe vetëm një natë.
- Itikafi në dhjetëshin e fundit është sunet i vërtetuar që e veproi Pejgamberi ﷺ shokët dhe gratë e tij, mirëpo i braktisur dhe i harruar nga myslimanët në të kaluarën dhe në të tashmen, derisa Ibën Shihab Ez-Zuhrij, Allahu e mëshiroftë, (ndërroi jetë në vitin 125 hixhri) tha: “Çudi me myslimanët! E braktisën itikafin, kurse Pejgamberi ﷺ nuk e braktisi prej kur hyri në Medine e deri kur ndërroi jetë.”[10]
Aisha i përcjell se i Dërguari i Allahut ﷺ qëndronte në itikaf në dhjetëshin e fundit të Ramazanit derisa Allahu ia mori shpirtin dhe, pas vdekjes së tij, qëndronin në itikaf gratë e tij.[11]
- Sa lejohet më së paku të qëndrohet në itikaf? Rreth kësaj meseleje dijetarët kanë mendime të ndryshme: Shumica e dijetarëve thonë se ajo është një çast. Prandaj, ligjërohet itikafi dhe pranohet nëse qëndron vetëm një çast, një orë, një ditë, një natë, ose më shumë ose më pak ose thënë më mirë, çdo qëndrim në xhami me nijet afrimi tek Allahu, llogaritet itikaf.
- Sipas mendimit më të saktë të dijetarëve, agjërimi nuk është kusht për saktësinë e itikafit, lejohet dhe i saktë është itikafi pa agjërim, megjithëse kur itikafit i bashkëngjitet agjërimi, kjo është më e mirë.
Argument për këtë është rasti me Omerin i cili e pyeti Pejgamberin ﷺ dhe i tha: “Në kohën para Islamit isha zotuar që do të qëndroj në itikaf për një natë në Mesxhidil Haram (Xhaminë e Shenjtë – Qabe)!” Pejgamberi ﷺ i tha: ‘Realizoje zotimin tënd’.”[12] Po të ishte agjërimi kusht për saktësinë e itikafit, nuk do të lejohej gjatë natës qëndrimi në itikaf, ngase natën nuk agjërohet.
- Kushtet e saktësisë së itikafit janë: Islami, mendja, mosha e dallimit, nijeti, të jetë në xhami ku falet namazi me xhemat, përveç për gruan, asaj i lejohet në çdo xhami, dhënia e lejes nga burri për gruan e tij ose nga përgjegjësi i gruas për atë që nuk është e martuar si dhe, të qenët i pastër nga xhunubllëku, menstruacionet dhe lehonia.
- Kusht për saktësinë e itikafit është që të jetë në xhami ku falet namazi me xhemat.
- Nuk është kusht për saktësinë e itikafit që të jetë në xhami ku falet xhumaja, mirëpo, nëse ekziston mundësia të jetë në xhami ku falet xhumaja, kjo është më e mirë. Përndryshe, detyrohet të dalë nga xhamia ku qëndron dhe të shkojë për xhuma në xhami tjetër ku falet namazi i xhumasë dhe me këtë rast nuk prishet itikafi i tij, ngase dalja e tij është e domosdoshme.
- Përveçqë itikafi është i saktë në tri xhamitë që janë më të vlefshme, xhamia e Haremit në Meke, xhamia e Pejgamberit ﷺ në Medine dhe xhamia e Aksasë, po ashtu është i saktë edhe në xhami të tjera. Ky mendim është i shumicës së dijetarëve nga sahabët, tabi’inët, katër imamët dhe të tjerët, dhe kështu vepruan myslimanët gjatë të gjitha kohëve, bazuar në fjalët e Allahut: “Mos iu afroni atyre (bashkëshorteve) gjatë kohës kur mbylleni për adhurim në xhami!” (El-Bekare: 187). Ajeti nuk e veçoi ndonjë xhami, prandaj itikafi lejohet në të gjitha xhamitë. Këtë mendim e kundërshtuan një pakicë nga dijetarët.
- Hadithi “Nuk ka itikaf, përveçse në tri xhamitë” nuk është hadith merfu’ (që i përfundon zinxhiri te Pejgamberi ﷺ), por është hadith meukuf (pra, fjalë nga sahabiu dhe zinxhiri përfundon te sahabiu dhe jo te Pejgamberi ﷺ) dhe e ka thënë Hudhejfe ibën El-Jeman h, por fjalën e tij e kundërshtuan dijetarët e mëdhenj të sahabëve. Disa nga dijetarët hadithin e vlerësuan si të saktë dhe thanë që për qëllim është se në këto tri xhami itikafi është më i plotë ose kuptimi tjetër i hadithit është se nuk lejohet zotimi për itikaf dhe të udhëtohet enkas për itikaf, përveçse në këto tri xhami.
- Itikafi në tri xhamitë (xhaminë e Haremit në Meke, xhaminë e Pejgamberit ﷺ në Medine dhe xhaminë e Aksasë në Palestinë) është më i mirë sesa në xhamitë e tjera, shkaku i ndershmërisë dhe i vlefshmërisë që e kanë.
Më e mira nga to është Mesxhidul Harami në Meke, ku falja e një namazi në të është më e vlefshme se njëqind mijë namaze në xhamitë e tjera, dhe pas saj vjen xhamia e Pejgamberit ﷺ në Medine, ku falja e një namazi në të është më e mirë se një mijë namaze në xhamitë e tjera, përveç namazit në Mesxhidul Haram dhe pas saj vjen xhamia e Aksasë.
- Ai që zotohet të bëjë itikaf në njërën nga këto tri xhami, e ka për detyrë ta realizojë zotimin e tij dhe nuk i lejohet që të bëjë itikaf në të tjera xhami.
Nëse është zotuar që itikafin ta bëjë në njërën nga tri xhamitë dhe ajo në vlerë është më e lartë se të tjerat dhe e përcakton me emër, si p.sh. në Mesxhidul Haram, e ka patjetër ta bëjë itikafin në këtë xhami dhe nuk i pranohet në xhami tjetër.
Nëse është zotuar që itikafin ta bëjë në njërën nga tri xhamitë dhe ajo në vlerë është më e ulët se të tjerat dhe e përcakton me emër, i lejohet atij që itikafin ta bëjë edhe në xhamitë që janë më të mëdha në vlerë se ajo që është zotuar. Shembull: është zotuar që itikafin ta bëjë në xhaminë e Aksasë, atij i lejohet që itikafin ta bëjë edhe në xhaminë e Pejgamberit ﷺ ose në Mesxhidul Haram. Kurse, ai i cili zotohet që itikafin ta bëjë në xhaminë e Pejgamberit ﷺ atij i lejohet që të qëndrojë për itikaf në xhaminë e Pejgamberit ﷺ ose në Mesxhidul Haram në Meke.
- Kush zotohet që ta falë namazin ose ta bëjë itikafin jashtë këtyre tri xhamive, nuk e ka për obligim që ato t’i veprojë në xhaminë që e ka përcaktuar, por pranohen dhe të sakta janë në cilëndo xhami që veprohen.
- Çdo gjë që e merr dispozitën e xhamisë, atij që qëndron në itikaf, i lejohet të hyjë në të, ose të hipën në të, ose të qëndrojë në të, sikurse në oborrin e xhamisë, tarracën dhe minaren e saj, sepse këto të gjitha janë pjesë e xhamisë dhe e marrin dispozitën e xhamisë.
- Atij që qëndron në itikaf, i lejohet të dalë në oborrin e xhamisë ose të qëndrojë për itikaf në të, nëse oborri është i lidhur me xhaminë dhe i rrethuar me të, ngase llogaritet si pjesë e xhamisë dhe i merr dispozitat e xhamisë. Nëse oborri është i ndarë nga xhamia, nuk e merr dispozitën e xhamisë dhe nuk lejohet të dalë apo të qëndrojë në të.
- Dhomat që janë në kuadër të xhamisë dhe me dyer të hapura për qarkullim, e marrin dispozitën e xhamisë, prandaj itikafi ose hyrja në to lejohet, sepse llogariten pjesë e xhamisë.
Ndërsa nëse ato janë të ndërtuara jashtë xhamisë, itikafi nuk është i saktë dhe nuk lejohet në to, edhe nëse dyert i kanë brenda xhamisë.
- Ai që dëshiron të qëndrojë në itikaf i lejohet të rezervojë për të një vend të posaçëm në xhami qoftë ajo një dhomë e vogël, qosh ose të ngjashme me to.
- Itikafi është i pëlqyer si për burrat ashtu edhe për gratë. Vendi ku qëndrojnë gratë për itikaf duhet të jetë i posaçëm për to dhe sa më larg burrave, si paramburojë për to ose për të tjerët nga sprovat e ndryshme, ose të mos vihen në vështirësi gjatë qëndrimit të tyre në itikaf.
Nënat e besimtarëve l qëndronin në itikaf me të Dërguarin e Allahut ﷺ duke qenë i gjallë, si dhe qëndronin në itikaf pas vdekjes së tij ﷺ.
- Nuk lejohet për gruan që të qëndrojë në itikaf ose të zotohet të qëndrojë në itikaf, përveçse me lejen e burrit të saj, sepse itikafi i saj e largon atë nga dhënia e hakut që e ka ndaj burrit të saj.
- Nëse burri ia jep lejen gruas të qëndrojë në itikaf, ai e ka edhe atë të drejtë që ta ndryshojë mendimin e tij, ta kthejë lejen dhe gruan ta nxjerrë nga itikafi, nëse itikafi i saj është vullnetar. Kurse, nëse itikafi i saj është për shkak të zotimit, ajo detyrohet ta plotësojë atë, ngase itikafi i saj është i obliguar që nga momenti i nisjes dhe burri në këtë rast nuk ka të drejtë që ta nxjerrë nga itikafi, pasi i ka dhënë leje të qëndrojë në të.
- Gruaja lejohet ta bëjë itikafin në çdo xhami dhe nuk është kusht për saktësinë e itikafit të saj të jetë në xhami ku falet namazi me xhemat, sepse ajo nuk e ka për detyrim namazin me xhemat.
- Gruaja, nëse për itikaf qëndron në faltoren e shtëpisë së saj, itikafi i saj nuk është i saktë, sepse itikafi bëhet veç në xhami, kurse faltorja në shtëpinë e saj nuk llogaritet xhami, shkaku se ajo nuk është ndërtuar për faljen e namazit në të dhe nuk e merr dispozitën e xhamisë. Gratë e Pejgamberit ﷺ itikafin e bënin në xhaminë e Pejgamberit ﷺ dhe, sikur të ishte më mirë që ato të qëndrojnë në itikaf diku tjetër, e jo aty, do t’i udhëzonte Pejgamberi ﷺ që të shkojnë në vend tjetër dhe do t’ua ndalonte që itikafin ta bëjnë në xhaminë e tij ﷺ.
- Kush dëshiron të qëndrojë për në itikaf në dhjetëshin e fundit në Ramazan, duhet të hyjë në xhami para se të perëndojë dielli në natën e 21-të, sipas mendimit të shumicës së dijetarëve, dhe të dalë nga xhamia pasi të perëndojë dielli në ditën e fundit të Ramazanit. Nëse Ramazani është tridhjetë ditë, itikafi përfundon me thirrjen e ezanit të akshamit, përndryshe (në natën e 29-të) duhet të presë derisa të vërtetohet pamja e hënës.
- Për atë që qëndron në itikaf në dhjetëshin e fundit të Ramazanit, disa nga të parët tanë e pëlqyen që ai të flejë në xhami edhe në natën e Bajramit, pastaj në mëngjes të dalë nga xhamia dhe të shkojë në faltoren e Bajramit.
- Kush dëshiron që të hyjë në itikaf duhet të jetë i pastër nga xhunubllëku, menstruacionet dhe lehonia. Këtyre u ndalohet qëndrimi në xhami, kurse kuptimi i itikafit është të qëndrohet në xhami.
- Nëse gjatë qëndrimit në itikaf njeriu bëhet xhunub në gjumë, nuk prishet itikafi i tij dhe atij nuk i lejohet të qëndrojë ashtu në xhami, por duhet të pastrohet dhe pastaj ta vazhdojë itikafin e tij.
- Gruas gjatë qëndrimit të saj në itikaf, nëse i vijnë menstruacionet, asaj i ndalohet të qëndrojë në xhami. Ajo duhet të dalë nga xhamia dhe të shkojë në shtëpinë e saj. Me këtë nuk e prish itikafin e saj. Pasi të pastrohet nga menstruacionet, mund të kthehet prapë në xhami dhe ta vazhdojë itikafin e saj.
- Itikafin e prish dhe të pavlefshëm e bën dalja nga xhamia pa nevojë, marrëdhëniet intime, bërja xhunub duke iu afruar gruas (me prekje dhe fërkime) ose masturbimi, humbja e mendjes me çmenduri ose dehje dhe të ngjashme me to, ndërprerja e nijetit për të qëndruar në itikaf si dhe dalja nga feja ose të bërit renegat, Allahu na ruajttë!
- Gjatë itikafit lejohet dalja nga xhamia për gjërat që njeriut i nevojiten, sikurse dalja për kryerjen e nevojës, sjelljen e ushqimit, nëse nuk ka kush t’ia sjellë në xhami, për abdes dhe për pastrim nga xhunubllëku, për blerjen ose sjelljen e ilaçeve, nëse nuk ka kush t’ia sjellë në xhami dhe të ngjashme me to. Dalja e tillë nuk e prish itikafin. Gjatë daljes duhet të shikojë që nevojat t’i kryejë në vendet sa më të afërta dhe nuk lejohet të shkohet sa më larg xhamisë, nëse ka hapësirë që ato të kryhen afër xhamisë.
- Porositë për ushqim nga restoranti nuk lejohet të bëhen nga xhamia, sepse kjo bën pjesë në shitblerje, kurse shitblerja ndalohet në xhami. Ai mund të dalë jashtë xhamisë të telefonojë dhe të porosisë e, kur të vijë ushqimi, faturën e paguan dhe ushqimin e merr jashtë xhamisë.
- Nuk ka pengesë për atë që qëndron në itikaf një pjesë të trupit të tij ta nxjerrë jashtë xhamisë, kjo nuk e prish itikafin e tij, si: ta nxjerrë kokën ose këmbën e tij jashtë xhamisë, ndërsa pjesa tjetër e trupit të jetë brenda xhamisë, bazuar në hadithin e Aishes i e cila thotë: “Pejgamberi ﷺ e nxirrte kokën e tij nga xhamia në shtëpinë tonë dhe ia krihja flokët.”[13]
- Gjatë qëndrimit në itikaf, kush bën marrëdhënie intime me gruan e vet, itikafi i tij bëhet i pavlefshëm, dhe nuk e ka për detyrë që itikafin e tij ta kompensojë ose ta shpaguajë, përveçse kur itikafi i tij është i obliguar, në këtë rast detyrohet kompensimi.
Allahu thotë: “Mos iu afroni atyre (bashkëshorteve) gjatë kohës kur mbylleni për adhurim në xhami!” (El-Bekare: 187)
- Prekjet dhe fërkimet pa epsh, sikurse kur gruaja i dërgon burrit diçka ose e përshëndet për dore, nuk e prishin itikafin. Aisha i thotë: “Pejgamberi ﷺ e nxirrte kokën e tij nga xhamia në shtëpinë tonë dhe ia krihja flokët.”[14]
- Kush i afrohet gruas së tij, por jo në organin gjenital, dhe bëhet xhunub, itikafi i tij bëhet i pavlefshëm, kurse nëse nuk bëhet xhunub, itikafi i tij është i vlefshëm dhe nuk prishet.
Nëse bëhet xhunub në gjumë ose bëhet xhunub shkaku i mendimeve, nuk prishet itikafi i tij, ai duhet të pastrohet dhe ta plotësojë itikafin e tij.
- Gjatë itikafit njeriut nuk i lejohet të shkojë ta vizitojë të sëmurin, të prezentojë në xhenaze, t’i përgjigjet ftesës për dasmë, t’i kryejë nevojat e familjes së tij ose të shkojë në punë, sepse këto vepra e bëjnë të pavlefshëm itikafin e tij.
Përcillet me një transmetim të saktë që Aisha i ka thënë: “Për atë që qëndron në itikaf sunet është që të mos e vizitojë të sëmurin, as të prezentojë në xhenaze, të mos i afrohet gruas, as të dalë nga xhamia për ndonjë nevojë, përveç nëse e ka të patjetërsueshme”[15]
- Shumica e dijetarëve e lejojnë që njeriu ta kushtëzojë qëndrimin e tij në itikaf, me kusht që kushtëzimi të jetë në saje të së lejuarës dhe të mos jetë gjë që e mohon synimin dhe vlefshmërinë e itikafit, si: marrëdhëniet intime, dalja nga xhamia për shëtitje ose tregti etj.
Prandaj, lejohet që njeriu para se të hyjë në itikaf, të vendosë kusht që nëse i ndodh diçka, të dalë nga itikafi, si: të dalë për të ngrënë ushqim në shtëpi, ta vizitojë të afërmin e sëmurë, të prezentojë në xhenazen e ndonjërit prej prindërve ose të afërmve, dhe të ngjashme me to.
Dobia nga vendosja e kushtit është se itikafi nuk prishet kur njeriu e vepron atë që e ka vendosur si kusht para se të hyjë në itikaf dhe ai vazhdon të llogaritet në itikaf. Nëse itikafi i tij është i obligueshëm për shkak të zotimit, edhe në këtë rast periudha ose koha që del nga xhamia nuk duhet të kompensohet.
Mosvendosja e kushtit është më e mirë, me këtë i ikën edhe mospajtimit të dijetarëve që e kanë në mes tyre për saktësinë e vendosjes së kushtit në itikaf dhe kjo është më e përafërt me synimin e itikafit, a, nëse i ndodh diçka që e ka të patjetërsueshme të dalë nga itikafi, del nga xhamia dhe më pas kthehet dhe e vazhdon itikafin e tij.
- Itikafi nuk prishet me mëkate, si: përgojimi, bartja e fjalëve, gënjeshtra dhe të tjera. Këto janë të ndaluara në itikaf dhe jashtë itikafit, mirëpo bien në kundërshtim me synimin e itikafit, pakësojnë nga shpërblimi i tij, ndërsa ai që i vepron, bën gjynah.
- Kush e prish itikafin e tij pasi ka hyrë në të, pëlqehet që ta kompensojë atë, edhe pse kjo nuk është detyrim. Është vërtetuar që Pejgamberi ﷺ kur një herë e la itikafin e dhjetëshit në Ramazan, e kompensoi me dhjetë ditë të tjera në muajin Sheval.[16]
- Ndërsa ai që e prish itikafin e obligueshëm për shkak të zotimit, pasi ka hyrë në të, detyrohet ta kompensojë atë që ka mbetur prej tij.
- Kush është zotuar për itikaf dhe ka ndërruar jetë para se ta realizojë zotimin e tij, pëlqehet që përgjegjësi i tij ta kompensojë për të, duke u bazuar në hadithin e Sad ibën Ubade h i cili e pyeti Pejgamberin ﷺ dhe i tha: “Nëna ime ka ndërruar jetë dhe i ka mbetur borxh zotimi i saj.” Pejgamberi ﷺ i tha: “Realizoje zotimin e saj për të.”[17]
- Gjatë qëndrimit në itikaf pëlqehet:
– Angazhimi me adhurime e vepra që të afrojnë tek Allahu dhe që mund t’i veprojë ai që gjendet në itikaf, si: falja e namazit, leximi i Kuranit, dhikri, duaja, istigfari, dërgimi i salavateve për Pejgamberin e Allahut ﷺ dhe vepra të tjera që e afrojnë tek Allahu.
– Largimi nga debatet dhe polemikat, nga thëniet dhe veprat që nuk ka në to dobi si dhe nga të folurit e tepërt pa nevojë.
– Shkëputja e lidhjeve me dynjanë dhe preokupimet e saj, me jetën dhe kënaqësitë e saj, pakësimi nga gjërat e lejuara, shtimi i asketizmit në dynja dhe të vetmuarit me Allahun.
– Përkujdesja për veprat e zemrës, si: sinqeritetin, dashurinë, shpresën, mbështetjen në Allahun, nënshtrimin, falënderimin, dhe të tjerat, si dhe përkujdesja për ta përmirësuar të jashtmen (veprat e gjymtyrëve) dhe të brendshmen (veprat e zemrës) duke e drejtuar myslimani fytyrën e tij kah Allahu, me sinqeritet, i përulur i nënshtruar para Duarve të Tij, me dashuri dhe përkushtim të plotë. E falënderon dhe e lavdëron Allahun, kërkon falje për të këqijat e tij dhe prej Allahut kërkon ndihmë dhe mbrojtje nga to dhe i mbështetet vetëm Atij. Allahut i frikësohet dhe Allahun e shpreson, tek Ai frika dhe shpresa janë sikurse dy krahët e zogut, në rehati e shton anën e frikës, kurse shpresa dominon në momentet e daljes së shpirtit: “…e që ruhet prej jetës tjetër dhe shpreson në mëshirën e Zotit të tij…” (Ez-Zumer: 9). Ai e shpreson mëshirën dhe Xhenetin e Allahut, dhe shpresës së tij ia bashkëngjit veprën e mirë që e kënaq Allahun, duke llogaritur për ato vepra në shpërblimin e Allahut.
- Gjendja e atij që qëndron në itikaf nuk duhet të jetë sikurse gjendja e atij që është jashtë xhamisë, por itikafi i tij duhet të jetë: vetmi me Zotin, përmirësim për zemrën, rishikim dhe llogari e vetvetes, përkujdesje për kohën, forcim i raporteve me Allahun, mbrojtje për agjërimin, edukim në sinqeritet, mosteprim në gjëra të lejuara dhe asketizëm në dynja.
- Gjatë qëndrimit në itikaf lejohet: krehja e flokëve, rruajtja e kokës, shkurtimi i thonjve, larja e trupit, pastrimi i trupit, parfumosja, veshja e rrobave më të bukura, ngrënia dhe pirja në xhami duke u përkujdesur për pastërtinë e xhamisë.
- Gruas i lejohet që ta vizitojë burrin e saj në itikaf dhe të vetmohet me të. Pasi ajo të dalë nga xhamia, nëse ka nevojë burri mund të dalë nga itikafi dhe ta përcjellë deri në shtëpi, itikafi i tij në këtë rast nuk prishet. Sipas nevojës, lejohen familjarët dhe shoqëria e tij ta vizitojnë në itikaf.
- Gjatë qëndrimit në itikaf bëhen disa gabime dhe ndër to, numërojmë:
– Gjumi i tepërt gjatë ditës, ndeja deri vonë natën, mirëpo jo për adhurim, mosngritja për ta falur namazin e sabahut.
– Mosbraktisja e të folurit të tepërt, teprimi me tallje dhe biseda, të folurit joserioz me shumë shaka, rënia në përgojim dhe ndalesa, mospërkujdesja për shenjtërinë e kohës dhe vendit.
– Teprimi në përdorimin e celularit, shfletimi i faqeve dhe rrjeteve sociale, telefonatat e shumta, marrja me punët dhe bizneset prej vendit ku qëndron në itikaf.
– Vizitat e shpeshta nga familjarët e shokët dhe bërja e vendit të itikafit si vend për pritjen e vizitorëve. Kjo bie në kundërshtim me itikafin profetik.
– Teprimi në ushqim e pije dhe dëmtimi i namazfalësve me erën e ushqimit.
– Mospërkujdesja për pastërtinë e xhamisë dhe rregullave të saj.
– Angazhimi me libra dhe leximin e tyre në vend se t’u jepet prioritet ibadeteve dhe nënshtrimeve.
– Këmbëngulja për të qëndruar në itikaf, qoftë edhe në llogari të lënies së gjërave detyruese, si: kryerja e nevojave familjare, përkujdesja për prindërit, dalja për kërkimin e riskut, e të ngjashme me to.
E lusim Allahun të na japë mbarësi në atë që Ai e do e që Atë e kënaq dhe e lusim që t’i pranojë nga ne veprat e mira! Amin!
Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve!
Dr. Muhamed Salih el-Munexhid
Pjesë e librit : “Udhërrëfyes për muajin e Ramazanit”
Nga arabishtja: Irfan JAHIU
[1] “Akif “ i thuhet atij që është i dhënë pas diçkaje, ose ai që jeton i vetmuar. (sh.p.)
[2] “Muatekif” i thuhet atij që qëndron në një vend, ose nuk del nga vendi, ose i jepet tërësisht diçkaje. (sh.p.)
[3] Shih: Zadul Mead, Ibën El-Kajim (2/82). Letaif El-Mearif, Ibën Rexheb (fq. 190, 191).
[4] Buhariu (2026), Muslimi (1172).
[5] Buhariu (2033), Muslimi (1172).
[6] Shënon Ed-Dejlemij, shejh Albani e vlerësoi si të dobët në Daif El-Xhami’ (5452).
[7] Imam Bejhakiu në Shuab El-Iman (3680), dhe e vlerësoi si të dobët, dhe shejh Albani tha: Hadith i shpikur. Shih: Es-Silsiletu Ed-Daife (518).
[8] Mesail Ebu Davud (fq. 137).
[9] Buhariu (2032), Muslimi (1656).
[10] Fet’hul Bari, Ibën Haxher (3/285).
[11] Buhariu (2026), Muslimi (1172).
[12] Buhariu (2032), Muslimi (1656).
[13] Buhariu (2029), Muslimi (297).
[14] Buhariu (2029), Muslimi (297).
[15] Ebu Davudi (2473).
[16] Buhariu (2033), Muslimi (1172).
[17] Buhariu (2761), Muslimi (1638).